
Pas largimit nga të gjitha institucionet e Kosovës, përfaqësuesit e subjektit kryesor politik të serbëve atje, dorëzuan edhe mandatet në kuvend.
Përmes një emaili të nisur në adresë të parlamentit të Kosovës, 11 deputetë njoftojnë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj qeverisë për vendimin e regjistrimit të automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia.
Në një protestë të organizuar në veri ditën e dielë, Lista serbe e bëri të qartë se nuk do të riktheheshin deri sat ë tërhiqej vendimi për targat dhe të krijohej asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Jemi mbledhur këtu sot për t’i dhënë një mesazh të fortë Prishtinës por edhe komunitetit ndërkombëtar; mjaft më, mjaft me shantazhet, shtypjen dhe privimin e të drejtave të serbëve në Kosovë dhe Metohi”, deklaroi Goran Rakic, lideri i Listës Serbe.
Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të zgjedhin rrugën e bisedimeve dhe të përmbahen nga veprimet që nxisin dhunë.
Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë i kërkoi përfaqësuesve të Serbisë të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre. Autoritetet në Prishtinë, sipas Uashingtonit duhet të zgjasin procesin e ri regjistrimit të targave, pezullimin e çdo veprimi ndëshkues dhe nisjen e negociatave për themelimin e asociacionit.
“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe mund të përshkallëzojë më tej tensionet në terren. Të gjitha palët e përfshira duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe qëndrueshmërinë. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshme dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, thuhet në një deklaratë të ambasadës së SHBA në Prishtinë.
Në një deklaratë pasditen e së dielës kryeministri Albin Kurti akuzoi Beogradin për destabilizim të situatës dhe theksoi se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Kosovës nuk mund të kompromentohen.
“Ato shkojnë bashkë me paqen dhe sigurinë. Nuk do të ketë, dhe nuk mund të ketë asnjë individ dhe asnjë grup më të fuqishëm sesa shteti. Ne nuk i dallojmë kriminelët në bazë të përkatësisë etnike, por vetëm në bazë të veprave të tyre penale”, deklaroi Kurti. (A2 Televizion)