
Dështimi i përpjekjeve të Brukselit për të zgjidhur mosmarrëveshjet për targat e paligjshme serbe në veriun e Kosovës, ka rritur shqetësimet për përshkallëzim të situatës në vend. SHBA dhe BE i druhen shpërthimit të dhunës etnike nëse kryeministri Kurti nuk do të heqë dorë nga plani për vendosjen e gjobave ndaj qytetarëve që vijojnë përdorin automjete me targa të Serbisë.
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kosova pranoi të shtynte me 48 orë vendimin, ndërhyrje kjo e mirëpritur nga serbët, sipas analistit Branislav Krstic në Mitrovicën e veriut.
“Pas tensioneve alarmuese dhe mundësisë së përshkallëzimit në një konflikt të armatosur mes serbëve lokale dhe policisë së Kosovës, lajmi se ShBA kishte arritur të bindte autoritetet në Kosovë që të arsyetonin, duke i ftuar në tryezën e negociatave, u prit më kënaqësi nga serbët këtu. Diplomacia do të detyrojë palët të negociojnë por kam dyshime se një zgjidhje do të arrihet”, thotë ai.
Banorët në Mitrovicën e veriut janë të shqetësuar për tensionet por thonë se si do që të shkojnë gjërat mbi çështjen e targave, serbët do të jenë të bashkuar.
“Nuk është e lehtë; kemi frikë për fëmijët, për ne, për të gjithë. Është e vështirë”, thotë Zorica, një banore aty.
“Ne jemi të sigurt vetëm nëse jemi të bashkuar, dhe besoj jemi të bashkuar si do që të shkojnë gjërat. Sipas opinionit tim Prishtina po luan, po më keq është për ta se sa për ne”, përgjigjet një tjetër, Ade Knezevic.
Në Prishtinë, banorët mbështesin qëndrimin e qeverisë. “Mendoj se pala destruktive, si gjithmonë është Serbia. Ajo kërkon gjithmonë më shumë nga sa kanë nevojë serbët që jetojnë këtu. Serbia e di se si ti keqpërdori ata për interesat e Beogradit dhe të presidentit Vucic”, thotë avokati Faton Zeka.
NATO, që ka rreth 3700 trupa paqeruajtëse në Kosovë, ka deklaruar se është i gatshëm të ndërhyjë nëse siguria do të kërcënohet. (A2 Televizion)