Tërmeti në Turqi ka zënë faqen e parë edhe në revistën satirike franceze, Charlie Hebdo, e cila ka marrë reagime të shumta nga mediat në Turqi.
Në një vizatim ku shfaqen ndërtesa të rrënuara me mbishkrimin “Tërmeti i Turqisë”, revista shkruan më poshtë: “Nuk ka nevojë të dërgohen tanke”. Mediat në Turqi e kanë interpretuar këtë si një karikaturë provokuese dhe tallëse. “Sondakika” e quan këtë karikaturë si të turpshme dhe larg humanizmit.
Më të ashpra kanë qenë komentet e qytetarëve turq në rrjetet sociale mbi këtë karikaturë, të cilët njëzëri e quajnë atë të turpshme.
Charlie Hebdo u sulmua nga persona të armatosur në vitin 2015, ku mbetën të vdekur 12 persona dhe 11 u plagosën. Autorët që kryen sulmin më 2015, thanë se ata vepruan në hakmarrje ndaj publikimit të karikaturave që tallnin Profetin Muhamed. (A2 Televizion)
