Thatësira dhe ngricat ulin prurjet në Fierzë

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2022, 10:48 | Aktualitet
Thatësira dhe ngricat ulin prurjet në Fierzë

Moti i thatë me reshje të pakta dhe ngrica, gjatë janarit dhe ditëve të para të shkurtit, ka ndikuar në uljen e prurjeve natyrore të lumenjve që furnizojnë me ujë Hidrocentralin e Fierzës, krahasuar edhe me dhjetorin e vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, aktualisht niveli i ujit në Fierzë rezulton se është 267.83 metra, ndërsa kuota maksimale është 296 metra. Korporata njoftoi se për momentin është vetëm një turbinë në punë, ndërsa prurja është rreth 220 m3/sek.

Në fund të muajit dhjetor të 2021, kuota e liqenit të Fierzës, ishte 274,79 metra mbi nivelin e detit. Në Fierzë, sot prurjet shënojnë 120 m3/s, shifër kjo ende shumë larg mesatares që nga vënia në punë e këtij hidrocentrali. Prurjet natyrore në dhjetorin e 2021, ishin 220 metër kub ujë në sekondë. Sipas Korporatës Elektroenergjitike, në HEC-in e Fierzës, aktualisht, po punohet me kapacitet maksimal, me 4 turbina. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, një turbinë ishte në punë. Për shkak të temperaturave të ulëta, nevojat e vendit për energji elektrike janë rritur ndjeshëm dhe kjo ka bërë që të shtohet importi i energjisë. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, bën me dije se aktualisht po importohet rreth 8 mijë megavat orë energji elektrike në ditë me një çmim mesatar prej 240 eurosh.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare publikoi më 8 shkurt përditësimin e informacionit mbi prurjet natyrore dhe prodhimin e energjisë elektrike në kaskadën e lumit Drin. Sipas KESH-it, prurjet natyrore në kaskadë janë në total 195 m3/s. Niveli në liqenin e HEC-it të Fierzë është 267.83 mmnd, në HEC-in e Komanit 173.62 mmnd dhe në HEC-in e Vaut të Dejës 73.84 mmnd. “Prodhimi ditor i energjisë elektrike në të tre HEC-et është 12.420 Mwh. Ndërsa rezerva energjetike është 446.04 Gwh”, njoftoi KESH. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos