
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka publikuar listën e aplikantëve për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese. Pas përfundimit të afatit të aplikimit, Meta njofton se kanë aplikuar 10 persona ku bie në sy emri i ish-kryeprokurores Arta Marku.
1. Zonja Ardita Buna
2. Zonja Arta Marku
3. Zonja Arta Vorpsi
4. Zoti Besnik Dervishi
5. Zonja Elida Take
6. Zoti Gent Ibrahimi
7. Zonja Juliana Latifaj
8. Zoti Maksim Qoku
9. Zonja Manjola Xhaxho
10. Zoti Sandër Beci
Lista e aplikantëve të mësipërm dhe dokumentacioni për secilin kandidat i përcillen menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për verifikim dhe vlerësimin e tyre në përputhje me kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit.
Institucioni i Presidentit të Republikës kujton se, të gjitha institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Kujtojmë që kjo erdhi për shkak se anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, zotit Përparim Kalo, i mbaron mandati në 8 prill të këtij viti. (A2 Televizion)