Thellohet skandali me Biden, gjenden të tjera dokumente sekrete në shtëpinë e tij

Nga A2 CNN
15 Janar 2023, 09:51 | Bota
Thellohet skandali me Biden, gjenden të tjera dokumente sekrete në

Vijon të thellohet skandali i dokumenteve sekrete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është i përfshirë drejtpërdrejt dhe presidenti Joe Biden.

Në një njoftim zyrtar, këtë herë nga vetë Shtëpia e Bardhë, mësohet se dokumente të tjera janë gjetur këtë herë në shtëpinë e liderit amerikan në Wilmington të Delawere.

Dokumentet, një pjesë e të cilave tepër sekrete, u gjetën në një dhomë të shtëpisë së Biden, pranë garazhit ku ai mban makinën e tij Corvette.

Zbulimi i ri i hedh më shumë benzinë skandalit të ditëve të fundit dhe zgjeron dyshimet ndaj demokratëve, të cilët mendonin se ia kishin hedhur më të keqes me zgjedhjet e mesit të mandatit.

Sipas mediave amerikane, zhvillimet e fundit komplikojnë rëndë planet e liberalëve për garën e Shtëpisë së Bardhë për vitin 2024. Presidenti Biden ende nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, por burime pranë tij shprehen se me shumë mundësi do të kandidojë për një mandat të dytë.

Juristi i Shtëpisë së Bardhë, Richard Sauber tregon se dokumentet e gjetura në banesën e Biden tashmë, disa prej të cilave ‘top secret’, i janë dorëzuar zyrtarisht Departamentit të Drejtësisë.

Ekspertët vlerësojnë se lëvizja e Shtëpisë së Bardhë për të lajmëruar zbulimin e fundit është një përpjekje për të treguar se ajo është e hapur për transparencë pas akuzave të ditëve të fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos