Mobilizimi i pjesshëm ka qenë një nga masat e fundit të Vladimir Putin, i cili po përpiqet dëshpërimisht të mbajë gjallë luftën në Ukrainë. Ditët e fundit ka pasur protesta ndaj vendimit, si dhe ikja e shumë të rriturve dhe të rinjve për t'i shpëtuar këtij mobilizimi.
Por, në mesin e 300.000 trupave të reja do të jetë edhe Diniyar Bilyaletdinov. Ish-futbollisti rus, sot 37 vjeç, ka marrë njoftimin, siç shpjegohet nga babai i tij në “sports.ru”.









“Diniyar mori thirrjen. Është e vështirë, ai nuk ka shërbyer kurrë, edhe pse ka kryer shërbimin ushtarak, por ka qenë shërbim specifik me karakter sportiv. Dhe kjo ka ndodhur 19 vjet më parë. Domethënë, ka bërë betimin, por ka shërbyer i lidhur me sportin. Ligji thoshte se do të thirreshin njerëz deri në 35 vjeç dhe ai është 37, kështu që këtu ka një lloj mospërputhje. Nëse do të kishte pasur një mobilizim të përgjithshëm, atëherë nuk do të kishte çështje. Presidenti ka vendosur mobilizim të pjesshëm”, tha Rinat Bilyaletdinov, babai i lojtarit.
Diniyar Bilyaletdinov është tërhequr nga futbolli profesionist, por vazhdon të luajë në një ligë amatore, Media League. Bilyaletdinov luajti 46 ndeshje me Rusinë dhe ishte pjesë e ekipit kombëtar që zhvilloi një Kampionat Evropian të shkëlqyer në Austri dhe Zvicër, në vitin 2008. Rusia humbi vetëm në gjysmëfinale, kundër Spanjës, që më pas fitoi titullin kampion.
Ish-mesfushori ka luajtur për skuadra si Lokomotiv Moskë, Everton, Spartak, Anzhi, Torpedo Moskë dhe Rubin Kazan. (A2 Televizion)