Vajza që drejtoi gazetarin e A2, Jul Kasapi, drejt çadrave të shqiptarëve ishte 15-vjeçarja Oljada.
Ajo ndodhet në kampin Al-Hawl të Sirisë, bashkë me nënën, Myrveten dhe motrën 3-vjeçare që ka lindur atje. Gjyshja nga ana e nënës e pret të kthehet.
Por, si e dalloi Hasime Dibra mbesën e saj?
“Nga zëri, nuk ia harroj kurrë zërin. Më pas, i dallova të ecurën”, shprehet gjyshja.
Në vitin 2014, Myrvetja, bashkë me bashkëshortin e saj nga Ulqini dhe vajzën e vogël, u gjend në shtetin që ISIS kishte krijuar me zgjerimin drejt Irakut, ndërsa ato hapësira njiheshin edhe si tokat e Shamit.
“Vajza na ka thënë vetëm që arriti në Sham dhe ishte e lumtur që ishte atje”, shprehet gjyshja.
Babai i Oljadës ka kërkuar të mos përmendet emri i tij dhe prej vitit 2016, familja Dibra nuk ka kontaktuar me të.
Vitet kaluan dhe luftimet e ashpra sollën pasoja për më të pafajshmit në këtë histori, fëmijët: “Vonë na ka thënë se “vajza ime është plagosur”. Shpresojmë të vijë dhe të kurohet këtu”.
Për Oljadën shqetësohet edhe tezja e saj, Azganja: “Më është ankuar se nuk ka ilaçe dhe kushtet janë të këqija”.
Hasimja i kërkon vajzës që të kthehet dhe pranon që rehabilitimi nuk do të jetë i lehtë: “Ato të vijnë njëherë, pastaj duhet shumë punë. Të komunikojnë një herë, pastaj të tjerat”.
Sipas saj, shteti duhet të veprojë më shpejt dhe përmend Kosovën si rast krahasimi: “Ka mundësi të na i sjellë këtu. Kosova, që sa është bërë shtet, më ka marrë 3-4 herë. Këtu nuk lëviz asgjë”. (A2 Televizion)