Media austriake: Në Shqipëri, gazetaria po kthehet në biznes shantazhi ndaj kompanive

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2026, 14:43 | Aktualitet

Media austriake: Në Shqipëri, gazetaria po kthehet në biznes

Një investigim i publikuar nga media austriake Exxtra24.at ngre shqetësimin për përhapjen e portaleve online në Shqipëri, të cilat, sipas artikullit, dyshohet se përdorin lajmet e pavërtetuara dhe publikimet negative si mënyrë për të ushtruar presion ndaj bizneseve dhe për të përfituar financiarisht.

Në artikullin e publikuar më 26 korrik 2026, me titull “Shqipëria: Kur gazetaria bëhet model biznesi”, trajtohet fenomeni i portaleve anonime, mungesa e transparencës mbi pronësinë dhe financimin e tyre, si dhe pretendimet për shantazh përmes publikimeve mediatike.

Sipas Exxtra24, në Shqipëri vlerësohet se operojnë nga 650 deri në 900 portale online në gjuhën shqipe. Një pjesë e tyre, sipas investigimit, nuk kanë adresa të qarta, nuk bëjnë publike emrat e gazetarëve dhe redaktorëve dhe nuk identifikojnë pronarët apo burimet e financimit.

Artikulli i plotë

“Kur nisa karrierën time si redaktore, të vetmet tekste që dukeshin si artikuj lajmesh ishin vërtet lajme. Mund të ishe i sigurt se personat që i shkruanin dhe i redaktonin ishin gazetarë, puna e të cilëve ishte të ndiqnin një proces të caktuar dhe të rregulluar, të quajtur gazetari. Ato kohë kanë kaluar. Sot, edhe lexuesit më të përgatitur e kanë të vështirë të dallojnë nëse po lexojnë informacione cilësore, të prodhuara në interes të publikut, apo përmbajtje që i shërben një agjende tjetër”.

(Kayim: June Casagrande, Los Angeles Times / Daily Pilot, 22 qershor 2026)

Këto fjalë të kolumnistes June Casagrande përshkruajnë një fenomen që po shfaqet në një nga vendet më të vogla dhe më të varfra të Evropës, Shqipëri, e cila po bën përpjekje për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Bëhet fjalë për përhapjen e lajmeve të rreme dhe dezinformimit. Megjithatë, në Shqipëri ky fenomen ka një veçori të veçantë krahasuar me vendet e tjera evropiane. Lajmet e rreme nuk përdoren vetëm për qëllime politike apo gjeopolitike, siç ndodh me përmbajtjet anti-perëndimore të mediave ruse apo kineze. Sipas autorëve të investigimit, në Shqipëri ato po përdoren edhe si mjet shantazhi, me synimin për të përfituar financiarisht. Në shënjestër janë kryesisht bizneset.

Publikimi i qëllimshëm i artikujve me informacione të pavërtetuara ose të manipuluara nuk përbën thjesht një shkelje të etikës profesionale, por, sipas investigimit, është kthyer në një mënyrë fitimi për disa persona që fshihen pas emërtimit gazetarë.

Bëhet fjalë për një model biznesi që dyshohet se ndërtohet mbi presionin dhe shantazhin ndaj kompanive private.

Një fenomen i ngjashëm është vërejtur edhe në Rusinë e viteve pas rënies së Bashkimit Sovjetik, gjatë periudhës së njohur si “Kompromat” ose “PR i Zi”. Në atë kohë, faqe anonime publikonin informacione të manipuluara financiare, skandale personale apo akuza për korrupsion ndaj biznesmenëve.

Këto publikime financoheshin nga rivalë të biznesit për të dëmtuar konkurrencën, por në raste të tjera pagesat bëheshin nga vetë kompanitë e sulmuara, me qëllim fshirjen e artikujve ose ndalimin e publikimeve të tjera. Në vitin 2022, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) raportoi arrestimin e të paktën tetë punonjësve të medias në Rusi, të dyshuar për shantazh ndaj drejtuesve të bizneseve.

Sipas investigimit, ky fenomen po gjen terren edhe në Shqipëri, përmes shtimit të portaleve online anonime dhe të paregjistruara, të cilat shfrytëzojnë mungesën e transparencës për pronësinë dhe financimin, si dhe boshllëqet ligjore, për të publikuar materiale kundër kompanive, institucioneve apo individëve.

Në shkurt të vitit 2026 u regjistrua në Shqipëri një nga rastet e para të arrestimit të një administratori portali nën dyshimin për shantazh.

Raportet e Komisionit Evropian për vitet 2024 dhe 2025, si dhe vlerësimet e organizatave si Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Këshilli i Evropës, e përshkruajnë situatën e medias në Shqipëri si problematike në disa aspekte strukturore.

Komisioni Evropian ka evidentuar vazhdimisht mungesën e transparencës mbi burimet e financimit të mediave dhe problematikat që lidhen me cilësinë e gazetarisë.

Ndryshe nga mediat tradicionale, që janë të regjistruara në regjistrat përkatës, një pjesë e portaleve online nuk i nënshtrohen të njëjtit nivel transparence për sa i përket financimit. Kjo e bën të vështirë identifikimin e personave dhe interesave që qëndrojnë pas tyre.

Sipas artikullit, një numër i konsiderueshëm portalesh nuk kanë adresa të deklaruara ose përdorin adresa fiktive, nuk publikojnë emrat e gazetarëve dhe redaktorëve, si dhe nuk bëjnë të ditur pronarët apo burimet e financimit. Megjithatë, ato publikojnë çdo ditë një numër të madh artikujsh, sikur të kishin redaksi të mirëfillta.

Autorët e investigimit ngrenë shqetësimin se mungesa e përgjegjësisë dhe transparencës po krijon hapësirë për abuzimin me lirinë e shprehjes. Sipas tyre, disa portale janë kthyer në mjete presioni dhe shantazhi për përfitime të paligjshme, duke dëmtuar besimin e publikut te mediat dhe duke krijuar probleme edhe për ekonominë.

Dokumente nga institucionet rregullatore, shoqatat e medias, dhomat e tregtisë dhe shoqatat bankare përmenden si dëshmi të shqetësimeve për përdorimin e platformave online në aktivitete të dyshuara kriminale, përfshirë shantazhin dhe detyrimin për përfitime financiare.

Sipas Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), në Shqipëri operojnë rreth 650 deri në 900 portale online në gjuhën shqipe.

Redaksia e exxtra24.at thotë se ka kërkuar informacion nga disa institucione dhe organizata, përfshirë AMA-n, Shoqatën e Gazetarëve Shqiptarë, Këshillin Shqiptar të Medias, Dhomën e Tregtisë, Shoqatën e Bankave Shqiptare dhe portalin Faktoje.al, i njohur për verifikimin e fakteve.

Në përgjigjet e marra, një nga problemet kryesore të evidentuara është statusi ligjor i këtyre portaleve. Sipas përgjigjeve, një pjesë e tyre nuk janë të regjistruara si persona juridikë, nuk kanë adresë fizike, nuk identifikojnë autorët e artikujve dhe nuk bëjnë publike pronësinë apo burimet e financimit.

AMA ka bërë të ditur se që nga viti 2023 ka marrë dhjetëra ankesa për publikime me informacione të pavërteta që kanë pasur në shënjestër individë, kompani dhe institucione.

Sipas të dhënave të institucionit, gjatë periudhës 2023–2025 janë trajtuar gjithsej 109 ankesa për përmbajtje të publikuara nga portale online që nuk përfshihen në juridiksionin rregullator të AMA-s.

Në vitin 2023 janë trajtuar 28 ankesa.

Në vitin 2024 janë trajtuar 36 ankesa.

Në vitin 2025 janë trajtuar 45 ankesa.

Këto ankesa përbënin përkatësisht 7.2%, 10.3% dhe 10.5% të numrit të përgjithshëm të ankesave të trajtuara në vitet përkatëse.

Megjithatë, AMA sqaron se nuk ka kompetencë ligjore për të marrë masa administrative ndaj këtyre portaleve, pasi publikimet e mediave online nuk përfshihen në fushën e saj të mbikëqyrjes.

Bizneset në alarm për publikimet online

Në tregun shqiptar të mediave online operojnë edhe media profesionale, me pronësi transparente, adresa të deklaruara dhe gazetarë të identifikuar.

Por, sipas investigimit, një kategori tjetër portalesh funksionon ndryshe. Ato publikojnë artikuj me pretendime të paverifikuara, i shpërndajnë në platforma të ndryshme dhe më pas, në disa raste, i fshijnë pasi kanë arritur qëllimin e tyre financiar.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, përmes presidentit të saj, Nikolin Jaka, ka ngritur shqetësimin se ky fenomen është kthyer në një problem të vazhdueshëm për sipërmarrjet shqiptare.

Sipas Jakës, gjatë vitit janë regjistruar raste të shumta kur kompani anëtare të Dhomës kanë pësuar dëme në reputacion për shkak të publikimeve të pasakta ose qëllimisht keqdashëse.

Ai thekson se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për një problem që prek si bizneset e mëdha, ashtu edhe sipërmarrjet e tjera, kryesisht përmes portaleve online dhe rrjeteve sociale.

Sipas Dhomës së Tregtisë, shqetësues është edhe fakti që disa portale publikojnë akuza ndaj kompanive dhe individëve pa pasur një vendim nga institucionet përkatëse apo gjykatat.

Kjo, sipas tyre, krijon një lloj gjykimi publik jashtë procedurave dhe standardeve ligjore.

Edhe Shoqata e Bankave Shqiptare ka ngritur shqetësime për këtë fenomen. Sipas saj, që nga fillimi i pandemisë COVID-19 është vërejtur rritje e artikujve denigrues ndaj bankave, aksionarëve dhe drejtuesve të tyre.

Shoqata pretendon se në disa raste këto publikime nuk kanë pasur si qëllim informimin e publikut, por ushtrimin e presionit ndaj bankave për të përfituar trajtim preferencial në kredi ose rritje të shpenzimeve për reklama.

Në përgjigjen e saj, Shoqata e Bankave shprehet se disa platforma publikojnë informacione të shtrembëruara për drejtuesit e bankave, keqinterpretojnë fakte dhe ndërtojnë pretendime mbi lidhje të pavërtetuara.

Sipas saj, nuk përjashtohet mundësia që këto publikime të përdoren si mjet presioni për përfitime financiare.

Këto praktika, thekson shoqata, nuk përbëjnë gazetari investigative, por dëmtojnë transparencën dhe besimin e publikut.

Pasojat e këtij fenomeni mund të jenë të rënda për bizneset. Publikimet e bazuara në informacione të pakonfirmuara mund të shkaktojnë dëme në reputacion, humbje klientësh, rënie të shitjeve dhe ulje të të ardhurave.

Dhoma e Tregtisë paralajmëron se këto raste po krijojnë vështirësi serioze për kompanitë, ndërsa Shoqata e Bankave ngre shqetësimin se, nëse fenomeni vazhdon, mund të dëmtohet edhe besimi te sektori bankar dhe stabiliteti financiar.

Kërkohen ndryshime ligjore

Përballë këtyre problematikave, institucionet dhe organizatat e biznesit kërkojnë masa për të parandaluar abuzimet dhe për të identifikuar personat përgjegjës.

Sipas artikullit, mungesa e vetërregullimit dhe vështirësitë në identifikimin e autorëve anonimë e bëjnë më të vështirë edhe ndjekjen e tyre ligjore.

AMA bën të ditur se çdo pretendim për shantazh apo përfitim të paligjshëm përmes publikimeve mediatike i është përcjellë institucioneve përgjegjëse të zbatimit të ligjit.

Kodi Penal shqiptar parashikon dënime me burgim nga dy deri në tetë vjet për veprën penale të shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë.

Disa kompani kanë vendosur t'i drejtohen rrugës ligjore për t'u përballur me publikimet që i konsiderojnë shpifëse.

Artikulli përmend rastin e kompanisë Megatek, një nga bizneset e mëdha të shitjes me pakicë në Shqipëri. Sipas investigimit, pronari i kompanisë, pasi është përballur me një seri publikimesh që synonin dëmtimin e imazhit të saj, ka refuzuar të paguajë atë që në artikull cilësohet si “shpërblim” dhe ka zgjedhur t'i drejtohet gjykatës.

Gjykata ka vendosur në favor të tij, duke urdhëruar portalet të heqin artikujt e publikuar. Megjithatë, sipas exxtra24.at, pas këtij vendimi kompania dhe gjyqtari janë përballur me një tjetër valë sulmesh nga të njëjtat portale, ndërsa artikujt nuk janë hequr.

Në fillim të vitit 2026, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës i ka paraqitur institucioneve një propozim për ndryshimin e nenit 120 të Kodit Penal.

Propozimi synon të parashikojë përgjegjësi të posaçme për gazetarët ose platformat online që publikojnë me dashje informacione të pavërteta për një kompani, pa verifikuar më parë saktësinë e tyre, dhe nuk i korrigjojnë apo heqin edhe pasi njoftohen zyrtarisht për pasaktësitë.

Sipas propozimit, këto veprime duhet të marrin përgjegjësinë përkatëse kur shkaktojnë dëme serioze për bizneset.

Artikulli kujton gjithashtu se edhe më parë qeveria shqiptare ka ndërmarrë nisma për të luftuar fenomenin, por ato kanë shkaktuar kundërshtime nga grupe të medias, të cilat i kanë konsideruar si përpjekje për të kontrolluar lirinë e shprehjes.

Politikanët shqiptarë, nga ana tjetër, kanë akuzuar vazhdimisht njëri-tjetrin për ndikim dhe kontroll mbi mediat.

Sipas exxtra24.at, mungesa e transparencës dhe përhapja e informacioneve të paverifikuara po krijojnë një situatë shqetësuese për bizneset dhe individët që bëhen objekt i publikimeve të tilla.

Disa kompani të mëdha kanë zgjedhur të mos reagojnë ndaj publikimeve të portaleve të paidentifikuara dhe të bashkëpunojnë me media që kanë pronësi dhe burime financimi transparente.

Megjithatë, dallimi mes gazetarisë profesionale dhe përdorimit të saj për qëllime shantazhi mbetet një nga sfidat kryesore për Shqipërinë.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos