
Papa Francçesku u ka bërë thirrje njerëzve në prag të Krishtlindjes që të shpenzojnë më pak për dhurata në ditët e festave të fundvitit dhe paratë të dhurohen për qytetarët e Ukrainës së shkatërruar nga lufta.
“Është bukur të festosh Krishtlindjen dhe të bësh festa, por le të ulim paksa nivelin e shpenzimeve. Le të kemi një Krishtlindje më të përulur, me më pak dhurata. Le të dërgojmë ato që kursejmë te populli i Ukrainës, i cili është në nevojë”, tha Ati i shenjtë.
Gati 10 muaj nga nisja e luftimeve, populli ukrainas po kalon ditë të vështirë, pasi Rusia ka bombarduar infrastrukturën energjetike, ndërsa dimri i acartë tashmë ka nisur.
“Ukrainasit po vuajnë kaq shumë. Ata janë të uritur, në të ftohtë. Shumë njerëz po vdesin sepse nuk ka mjekë apo infermierë. Të mos i harrojmë. Krishtlindja, po, në paqe dhe me Zotin, po, por me ukrainasit në zemër”, tha Papa. (A2 Televizion)