Thirrjet pro ISIS, arrestohet 46-vjeçari nga Kavaja, postonte thirrje ekstremiste

Nga A2 CNN
12 Prill 2023, 15:41 | Kronikë
Thirrjet pro ISIS, arrestohet 46-vjeçari nga Kavaja, postonte thirrje

Një46-vjeçar me origjinë nga Kavaja u arrestua nga anti-terrori pasi bënte thirrje për terrorizëm në rrjete sociale. Gentjan Collaku mbahej nën vëzhgim prej vitit 2021 nga agjentë të anti-terrorit ndërsa gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar pranoi kërkesën e SPAK dhe i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Gentian Çollaku përdorte 16 profile të ndryshme në rrjetin social Facebook dhe aty postonte thirrjet pro ISIS dhe kundër koalicionit global anti-terrorizëm. Në disa prej tyre ai shprehte pikëpamjet e tij pro shtetit islamik si dhe kërkonte ndaljen e luftës ndaj tyre pasi sipas tij ISIS ka luftëtarë, të cilët nuk flenë.

Veç postimeve të tilla Çollaku ndante në Facebook thirrje dhe u dilte në mbështetje imamëve të dënuar për terrorizëm, të cilët rekrutonin luftëtarë për t'iu bashkuar ISIS-it në Siri dhe Irak. Po ashtu SPAK ka mësuar se Çollaku mbante lidhje me elementë radikalë nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut të cilën e ka vizituar disa herë.

Ky nuk është rasti i parë që Drejtoria e anti-terrorit ndjek element të tillë. Një vit më parë në pranga ra Bledar Zeneli, i cili po si Çollaku përdorte rrjete të ndryshme sociale për të shpërndarë propagandën e shtetit islamik.

Po në vitin2022 në pranga ra dhe një 56-vjecar, i cili përdorte Facebook për të shpërndarë thirrje për kryerjen e akteve terroriste. El Salih Lekica më parë punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë e Kukësit shpërndante dhe video në gjuhën arabe ku mbështetej dhe drejtuesi i ISIS, Abu Bakr al Bagdadi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos