Thyejnë rekord në ankand, fanellat e Jordan, Kaepernick dhe Obamës

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2020, 12:41 | Showbiz

Fanellat historike të sportistëve Michael Jordan, Colin Kaepernick dhe ajo e ish-presidentit amerikan Barack Obama janë shitur me shifra rekord në një ankand të mbajtur ditën e premte.

Fanella historike e Jordan “Chicago Bulls” që ai kishte veshur ditën kur nënshkroi me Chicago Bulls në vitin 1984 u shit për 320 mijë dollarë, çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë për një fanellë.

Jordan e mbajti fanellën bardhekuq, që kishte emrin e tij dhe numrin 23, në konferencën e parë për shtyp si anëtar i Bulls-ave.

Ai u kthye në legjendën e ekipit, që fitoi 6 tituj kampion gjatë viteve ’90.

Por fanella e Jordan nuk ishte evetmja që u shit në ankand. Bluza zyrtare e Colin Kaepernick me numrin 7, e veshur nga ish-lojtari i futbollit amerikan në vitin 2011, gjatë ndeshjes së debutimit me San Franciskon, u shit për 128 mijë dollarë, duke e bërë fanellën më të shtrenjtë të Ligës Kombëtare të Futbollit që shitet në një ankand.

Gjithashtu, një tjetër fanellë basketbolli theu rekord.  Fanella e veshur nga ish-presidenti Barack Obama në 1979-n, gjatë viteve të tij në shkollën Punahou në Hauai u shit për 192 mijë dollarë, një rekord i ri për një fanellë shkolle të mesme në ankand.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos