
Flamurtari në basketboll për femra ka marrë një fitore të thellë përballë Partizanit në ndeshjen e pare finale për titullin kampion.
Ekipi vlonjat ka dominuar totalisht ndeshjen dhe tashmë hedh vëmendjen nga ndeshja e dytë që do të luhet të enjten në Tiranë. Skuadra e drejtuar nga Elona Hasanaj e nisi vrullshëm ndeshjen që në 10 minutat e para dhe fitoi periodën e parë me rezultatin 24-10.
E njëjta tablo ishte në 10 minutat e dyta. Flamurtari luajti shumë mirë në mbrojtje dhe me shpejtësi në sulm, ndërsa në përfundim të dy periodave të para vlonjatet udhëhoqën 51-21. Edhe pas pushimit, Flamurtari vijon dominimin në parket dhe mbylli periodën e tretë 70-39. Në 10 minutat e fundit për ekipin vlonjat rëndësi kishte administrimi i rezultatit dhe në fund gjithçka përfundoi 94-51.
Përballja e dytë për titullin kampion mes Flamurtarit dhe Partizanit do të luhet këtë të enjte në orën 18:00 në pallatin e sportit Asllan Rusi. (A2 Televizion)