Tjetër skandal me “Facebook”, publikohen gabimisht 400 milionë numra telefoni

Nga A2 CNN
5 Shtator 2019, 22:19 | Teknologji
Tjetër skandal me “Facebook”, publikohen gabimisht 400

“Facebook” goditet nga një tjetër skandal në lidhje me publikimin e të dhënave të përdoruesve të tij. Këtë herë në rrjet janë publikuar numrat e telefonit që lidhen me mbi 400 milionë përdorues të platformës më të madhe sociale në internet.

Sipas “TechCrunch”, 133 milionë llogari në SHBA, 50 milionë në Vietnam dhe 18 milionë në Britani janë mes 419 milionë të dhënave të lëna të hapura në një server online të hapur që nuk ishte siguruar me fjalëkalim. Sipas personit që zbuloi database-n, aty përfshihen dhe të dhënat dhe numrat e telefonit të një numri të madh personazhesh të njohura. “Facebook” e konfirmon këtë raportim, por deklaron se numri është më pak se gjysma për shkak të dublikateve.

Kjo situatë mendohet të ketë ardhur si pasojë e informacioneve që më parë kanë qenë publike që i lejojnte njerëzve të kërkonin për të tjerë duke përdorur numrin e telefonit, aplikacion ky që më pas u çaktivizua në prill të vitit 2018 pas skandalit me “Cambridge Analytica”. Serveri pa fjalëkalim qëndroi i hapur deri të mërkurën deri sa “TechCrunch” kontaktoi me personat përgjegjës të “Facebook”.

Në vitin 2018, “Facebook” u përball me një skandal për çështjen e të dhënave të përdoruesve, ku një kompani konsultimi, “Cambridge Analytica” kishte aksesuar të dhënat e 87 milionë përdoruesve në kundërshtim me marrëveshjen e vitit 2011 që parashikon se rrjeti social duhet të njoftojë përdoruesit kur të dhënat e tyre janë shpërndarë me palë  të treta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos