
Shkolla për shumë nga fëmijët është një festë që nis për t’u bashkuar me miqtë që na kanë munguar apo për të njohur të rinj. Të vegjlit gëzohen ditën e parë ashtu sikurse t’i çoje në një kënd lojërash, por shumë prej këtyre fëmijëve nuk i kanë i shijuar sa duhet lojërat dhe aq më pak shkollën.
Të etiketuar nga shkenca, por jo pak herë edhe të paragjykuar nga vetë njerëzit që përpiqen të duken të zakonshëm, këta fëmijë me nevoja të veçanta nuk përqafohen sa duhet. Sot, i takojmë në “Toptani Jungle”.
I gjithë këndi i lojërave është për ta.
Për logopeden Irini Halili, që është thuajse gjithnjë afër tyre dhe si mision ka t’i bëjë më të lumtur, misioni i sotëm lexohet në portretet e këtyre fëmijëve.
Ajo na tregon se mes fëmijëve ka edhe të vegjël që fillimisht nuk reaguan mirë, pasi kurrë më parë nuk kishin shijuar një park lojërash. Histori të trishta me siguri gjen ngado, por sot, bashkë me këto vajza që kalojnë një pjesë të mirë të ditës për t’iu dedikuar këtyre fëmijëve të veçantë, ne e përcjellim këtë ngjarje me një mesazh të vetëm, mesazhin e prindërve dhe terapistëve të tyre: Përqafojini këta fëmijë, mirëpritini dhe do ta shihni sa dashuri do t’ju kthehet pas. (A2 Televizion)