
Argumenti se kishin marrë si pasagjerë në mjetin e tyre nga Korça në Tiranë tre sirianë dhe një palestinez për humanizëm, nuk i vlejti çiftit të të rinjve Sterio Germenji e Anamaria Hihallari. Këtë të hënë ata dolën para gjykatës së Tiranës, si të dyshuar për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, bashkë me tre persona të tjerë të arrestuar nga operacioni i koduar “Complex”. Para gjykatës dy të rinjtë me arsim të lartë nuk dhanë shpjegime, ndërsa prokurori tha se deklarimet e tyre pas arrestimit, për transportimin e 4 ilegalëve për humanizëm, ishin të pasinqerta.
Sipas prokurorisë, mjeti i çiftit ishte mbajtur në mbikëqyrje në rrugëtimin e tij nga Korça dhe ishte ndaluar në rrethinat e Tiranës, teksa kishte qëndruar krah një mjeti tjetër “Audi”, ku u gjetën më pas bagazhet e të huajve.
Referuar hetimit, emigrantët do të dërgoheshin tek një hostel në zonën e Laprakës në kryeqytet, i cili zotërohej nga 64-vjeçarja Sanie Shehu. Këqyrja e komunikimeve elektronike ngriti dyshime për përfshirjen në rrjet edhe të Rigels Vejsiut, djalit të 64-vjeçares.
Ndërhyrja e policisë në këtë godinë zbuloi 20 shtetas arabë, një shumë prej 170 euro, si edhe dhjetëra pasaporta të qytetarëve nga Bangladeshi. Sipas prokurorisë, po hetohet edhe mundësia e një linje trafiku të bangladeshasve që futen ligjërisht në vend, për ta përdorur më pas si trampolinë drejt vendeve të BE.
Ata kanë mbërritur në vend si turistë, duke përfituar nga një VKM, që lejon bangladeshasit të futen pa vizë në Shqipëri, nëse kanë leje qëndrim në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Me kërkesë të prokurorisë, gjykata la në burg vetëm Rigels Vejsiun, për shkak se ishte dënuar edhe me herët për të njëjtën vepër penale, ndërsa caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për katër të tjerët. (A2 Televizion)