
Gjykata e Vlorës pritet të zhvillojë masën e sigurisë ndaj Arjan Tases, ish-shefit të komisariatit të Policisë së Himarës, i cili tri ditë më parë, teksa lundronte me gomone aksidentoi për vdekje një vajzë 7-vjeçare në bregdetin e plazhit të Potamit në Himarë.
Burime pranë prokurorisë së Vlorës janë shprehur se pritet që të ndryshohet edhe akuza ndaj Tases, nga vrasje nga pakujdesia, e vlerësuar nga agjencia e mbikëqyrjes policore, në vrasje me dashje indirekte.
Kjo pasi prokuroria vlerëson se drejtuesi i gomones ka hyrë me vetëdije në një zonë ku ishte e ndaluar të lundrohej me mjete detare motorike.
Ndërkohë, po ditën e sotme pritet të vlerësohen masat e sigurisë edhe për 15 punonjës të policisë kufitare të Vlorës, të cilët pas tragjedisë së Potamit, janë shkarkuar nga detyra dhe janë marrë në ndjekje penale për akuzën e shpërdorimit të detyrës. (A2 Televizion)