
Aksidenti tragjik hekurudhorë pranë Larisës, vijon të mbajë grekët me frymën pezull. E gjithë vëmendja është zhvendosur nga llamarinat e shkrumbuara të trenave që u përplasën kokë më kokë, e ku prej ditësh zhvillohet operacioni i vështirë i kërkim-shpëtimit, te spitali ku po bëhet indentifikimi i viktimave. Procesi po rezulton tejet i vështirë, duke qenë se personat në vagonët e parë janë dëmtuar në atë pikë, sa identifikimi është bërë i pamundur.
“Mendoj se pas temperaturave që u zhvilluan në vagonë është e vështirë të gjenden persona të gjallë. Temperaturat mbi 1200 gradë nuk lejojnë mbijetesën”, tha një punonjës i grupeve të shpëtimit.
57 persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 56 të tjerë rezultojnë të humbur. Mes tyre, dyshohet të jenë edhe 5 shqiptarë, edhe pse konfirmimi zyrtar për shumicën e tyre nuk ka ardhur ende, ndërsa priten rezultatet e ADN-së. Ministria jone e Jashtme nuk e ka konfirmuar ende, por mediat flasin për vdekjen e 23-vjeçares Evgjeni Micka, me orgjinë shqiptare, pas asaj të studentes 21-vjeçare të mjekësisë, Klaudia Lata dhe 60-vjeçarit, Pavlin Bozo, që punonte në kafenenë e trenit. Siç thuhet, deri më tani, janë identifikuar 24 viktima.
Një 59-vjeçar, përgjegjës i linjës hekurudhore të Larisës është vënë në pranga, dhe siç thuhet ka pranuar një pjesë të përgjegjësisë për aksidentin fatal.
“I akuzuari është praktikisht i shkatërruar. Ai e ka pranuar pjesën e tij të përgjegjësisë, por nuk mund të fokusohemi vetëm te pema, kur pas saj është një pyll i tërë”, deklaroi avokati i tij, Stefanos Pantzartzidis.
Mediat greke raportojnë se ai ishte njoftuar 17 minuta para ngjarjes lidhur me orientimin e trenit të mallrave, dhe se kishte konfirmuar me një OK. Mijëra vetë po protestojnë prej dy ditësh në Athinë dhe Selanik, të tronditur për tragjedinë, ndërsa stafi hekurudhori zhvilloi një grevë 1-ditore, duke fajësuar qeverinë për neglizhencë dhe braktisje të sistemit hekurudhor. Zëvendësministrja e Shëndetësisë fajësoi për situatën edhe masat e kursimit, gjatë krizës së borxhit në vitet 2000, që siç tha kishin penguar investimet. (A2 Televizion)