
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i është drejtuar vendit me anë të një konference për mediat pas përplasjes së dy trenave në Larisa.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë helene konfirmoi se bëhet fjalë për një gabim njerëzor.
“Çdo gjë tregon se tragjedia, për fat të keq, erdhi kryesisht si pasojë e një gabimi njerëzor.”
Mitsotakis u shpreh po ashtu, se kjo ngjarje do të qëndrojë gjithmonë në memorien e popullit grek, ndërsa shtoi se bëhet fjalë për një rast të paprecedent. Ai po ashtu falënderoi ekipet e ndihmës së shpejtë, duke përfshirë këtu zjarrfikësit, ekipet e shpëtimit, pjesëtarët e sistemit të shëndetësisë dhe autoritetet lokale.
Mitsotakis u premtoi qytetarëve se çështjes do t’i shkohet deri në fund teksa shtoi se ndërkohë është urdhëruar nisja e një hetimi të pavarur për ngjarjen.
“Drejtësia do ta bëjë punën e saj. Njerëzit do të mbajnë përgjegjësi ndërsa shteti do të jetë në anën e qytetarëve,” shtoi Kyriakos Mitsotakis duke bërë apel për unitet gjatë kësaj tragjedie.
Si pasojë përplasjes së trenave në shtetin fqinj janë konfirmuar deri më tani të paktën 43 viktima. (A2 Televizion)