
Me bllokimin e transportit ndërqytetës, qytetarët që duan të kthehen në shtëpitë e tyre kanë tashmë shumë pak mundësi zgjedhje; të mbeten të bllokuar në kryeqytet, ose të paguajnë taksi apo automjete private me çmime 3 deri në 10 herë më të larta se ç’do të paguanin zakonisht. Një faturë veçanërisht e shtrenjtë, për studentët, që gjenden edhe përballë sezonit të provimeve.
Rritja e informalitetit ka irrituar veçanërisht sektorin e transportit ndërqytetës, që kërkojnë rikthimin në punë. Ndërkohë, kreu i shoqatës së transportit interurban deklaron se nuk do të ketë rritje të çmimit të biletave, teksa po dakordësohet me qeverinë edhe mekanizmi i kompensimit.
Gjatë udhëtimit, autobusët ndërqytetës pritet të operojnë me gjysmën e kapacitetit, ndërsa do të jetë e detyrueshme pajisja me maska dhe doreza, si dhe dezinfektimi i mjetit përpara çdo udhëtimit. Në këtë sektor të transportit publik janë të punësuar rreth 1000 persona. (A2 Televizion)