
Një operacion ndaj kontrabandës së ilaçeve në qytetin e Sarandës është njoftuar sot me anë të një konference për shtyp nga drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Gentian Berberi, ku si pasojë janë vënë në arrest dy bashkëshortë, pronarët e një farmacie në lagjen nr. 1, të qytetit bregdetar.
Sipas hetimeve, çifti tregtonte medikamente mjekësore, të dyshuara si të kontrabanduara, dhe kontrollet e forcave të rendit në banesën e të akuzuarve e ka mbështetur këtë dyshim.
Në banesë janë gjetur të magazinuara rreth 1287 lloje të ndryshme medikamentesh, në sasi të ndryshme, me vlerë rreth 70 mijë euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve në kuadër të operacionit “Storage”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve me inicialet K. A., 64 vjeç dhe A. A., 62 vjeçe, të dy banues në Sarandë.
Forcat e rendit po vijojnë hetimet për të zbardhur trafikun dhe për të evidentuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. (A2 Televizion)