
Gjykata e Posaçme e Apelit la të pandryshuar vendimin e Shkallës së Parë ndaj ish-gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha dhe të bashkëpandehurve të saj. Hoxha është dënuar me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga funksionet publike, pasi u shpall fajtore për korrupsion. Hoxha aktualisht është e lirë për shkak se e ka përfunduar dënimin.
Në qershor të këtij viti, Kolegji i Posaçëm i Apelimit konfirmoi gjithashtu vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për shkarkimin e saj nga detyra.
Hoxha u arrestua në shkurt të vitit 2021 bashkë me 9 persona të tjerë, pas dyshimeve se përfitonte ryshfet nga 6-12 mijë euro për uljen e dënimit të të dënuarve të burgut të Fushë-Krujës, nga ku janë liruar para kohe Endrit Dokle, Hekuran Billa e Ilir Paja.
Hoxha pretendon se vendimi ndaj saj në Shkallën e Parë, ku u dënua me 2 vjet burg ishte dhënë nën trysni politike e mediatike. (A2 Televizion)