
Shkalla zyrtare e papunësisë ra në 12.1% gjatë tremujorit të parë të këtij viti, pas një stanjacioni në gjysmën e dytë të 2018-s. Por, duke dëshmuar për ngadalësimin e dinamikës në tregun e punës.
Numri i të punësuarve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë është rritur me 1.4%, ndikuar kryesisht nga hapja e vendeve të reja të punës në sektorin e shërbimeve dhe atë të industrisë. Nga ana tjetër, numri i të punësuarve dhe të vetëpunësuarve në bujqësi është në rënie, çka tregon kalimin drejt sektorëve të tjerë të ekonomisë.
Tek të rinjtë, shkalla e papunësisë regjistrohet në 22.2%, në rënie vjetore me 2.3 pikë përqindje. Megjithëse është shumë shqetësues niveli i të rinjve që nuk janë as në shkollë, as në punë.
Instituti i Statistikave ka publikuar gjithashtu të dhënat mbi pagën mesatare gjatë periudhës Janar-Mars 2019.
Rroga mesatare bruto është rritur me 4.9% krahasuar me një vit më parë, në 51.531 lekë. Por, kjo pagë shfaqet në rënie krahasuar me fundin e 2018-s.
Të punësuarit në sektorin e arteve dhe argëtimit kanë përfituar edhe rritjen më të madhe, ndjekur nga sektori i informacionit dhe komunikacionit, si dhe tregtia. (A2 Televizion)