
Emigracioni po krijon probleme në ekonominë shqiptare, pasi thuajse të gjitha bizneset po vuajnë mungesën e punonjësve. Kjo situatë ka ushtruar presion që të rriten pagat. Pavarësisht kësaj rritjeje, që vihet re kryesisht tek pagat e ulëta, hemorragjia e largimeve nuk po ndalet. Nga ana tjetër, anketimet e fundit te bizneset tregojnë se pjesa dërrmuese e kompanive shqiptare nuk kanë buxhete për trajnimin e punonjësve. Dinamika këto të tregut të punës që duket sikur kundërshtojnë njëra tjetrën.
Për këtë çështje delikate u diskutua mbrëmjen e së premtes në A2 Business. Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë, u shpreh se paga ka ndikuar më së shumti te pjesa e krahut të lirë të fuqisë punëtore.
“Paga është një nga elementët bazë në marrëdhëniet e punës. Pastaj janë edhe kushtet e punës, ambienti e elementë të tjerë. Paga ka ndikuar më së shumti te pjesa e krahut të lirë të fuqisë punëtore. Këtë e kemi verifikuar edhe nga një analizë e bërë. Në bujqësi, krahasuar me një vit më parë, ka një rritje të pagës mesatare në përmasa shumë të vogla, nga ana tjetër ka një ulje të fuqisë punëtore. Forca reaguese e tregut shqiptar është shumë kaotike dhe nuk jep sinjale të qarta sa i përket goditjeve dhe kërkesave nga eksportet”, u shpreh Gjokutaj. (A2 Televizion)