Të paktën 17 persona u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në Iranin lindor, të mërkurën herët në mëngjes, tha Gjysmëhëna e Kuqe iraniane në Twitter.
Njëzet e dy ekipe shpëtimi, 10 ambulanca dhe tre helikopterë u vendosën pasi pesë vagonë treni dolën nga shinat në orën 05:30 të mëngjesit me orën lokale pranë qytetit të Tabas. Sipas mediave shtetërore, të cituara nga CNN, të plagosurit u transportuan në qytetet e afërta për trajtim.
Numri i të vdekurve pritet të rritet për shkak të ashpërsisë së plagëve, citoi media shtetërore iraniane IRNA, zyrtarin e provincës së Khorasanit jugor, Seyyed Abolhassan Mirjalili.


Treni po transportonte 348 pasagjerë kur u përplas me një ekskavator në hekurudhë, teksa po udhëtonte për në qytetin Yazd.
Incidenti vjen dy javë pasi një ndërtesë tregtare 10-katëshe u shemb në qytetin e Abadan, duke vrarë 41 persona dhe duke shkaktuar protesta antiqeveritare në të gjithë provincat iraniane, të cilat lideri iranian i quajti të nxitura nga perëndimi. (A2 Televizion)