
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, tha në Ditarin e A2 CNN se Partia e Lirisë nuk do të jetë në koalicion me partitë e tjera opozitare ku do të futen edhe kandidatët e Rithemelimit për kryetarë bashkish.
“Nuk është Meta pjesë e koalicionit. Janë parti të tjera. Pa dyshim Meta dhe Partia e Lirisë do të mbështesë kandidatët tanë në të gjithë bashkitë e vendit de kjo është deklaruar. Ata nuk kanë dalë me lista për kryebashkiakë. Por kanë dalë me lista të veçanta për këshilltarë. Në bazë të ligjit Meta nuk mund të jetë pjesë e këtij koalicioni”, tha Shehu.
Dy ditë më parë, në një konferencë për mediat, kreu i Partisë së Lirisë tha se me logon e partisë së tij do të regjistrojë të gjithë kandidatët e dalë nga procesi i Primareve, duke treguar besnikëri në marrëveshjen e firmosur pak javë më parë me Sali Berishën.
“Kandidatët nuk janë të Sali Berishës, janë të primareve. Një proces historik që ka ndodhur në Shqipëri për herë të parë, i aplikuar me guxim dhe kurajë në një shtet që qeveriset nga mafiozët, që të vetmin qëllim ka korruptimin e opozitës dhe përdorimin e shtetit në mënyrë antikushtetuese kundër opozitës. Procesi i primareve tashmë ka nxjerrë super kandidatë që nuk i takojnë më Berishës dhe as demokratëve, por qytetarëve shqiptarë. Nuk ka mekanizma, hile dhe poshtërsi që i ndalon superkandiatët të regjistrohen dhe të jenë fitimtarë në datën 14 maj”, tha Meta
Edhe për sa i përket këshilltarëve bashkiak, mekanizmi do të jetë i njëjtë ku kandidatët e PD do të jenë brenda listës së Partisë së Lirisë. “Kemi një marrëveshje historike me Partinë Demokratike, për sa i takon dhe çështjes së këshillave dhe shndërrimit të tyre në tribuna që jo vetëm flitet për qytetarët, por ku do vinë vetë qytetarët të flasin. Të jeni të sigurt që ky bashkëpunim do të funksionojë në mënyrë të mrekullueshme”. (A2 Televizion)