Regjistrimi i PD në zgjedhje, Celibashi njeh Bashën kryetar, 48 orë për plotësim dokumentesh

Nga A2 CNN
9 Mars 2023, 11:26 | Politikë
Regjistrimi i PD në zgjedhje, Celibashi njeh Bashën kryetar, 48

Ilirjan Celibashi i dha të drejtë Lulzim Bashës për të regjistruar Partinë Demokratike në Zgjedhje. Në një mbledhje ku përballë kishte të dyja grupimet e PD-së, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve u shpreh se është i detyruar t’i referohet regjistrit të partive pranë gjykatës dhe jo perceptimeve personale.

“Unë mund ta pranoj që në perceptimin tim z. Sali Berisha është kryetar i PD, por kjo nuk ndryshon absolutisht asgjë në përputhje me ligjin. Mendoj që të drejtën për të kërkuar regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 14 majit 2023, e ka z.Lulzim Basha”, tha Celibashi.

Njohja e kësaj të drejte ishte një gjysmë fitore për të autorizuarin e Bashës pasi Celibashi nuk vijoi me regjistrimin e PD-së. Sipas tij, shkresat e depozituara kishin mangësi, ku më problematika ishte deklarata publike ku Enkelejd Alibeaj zotohej në emër të Bashës se nuk do të kryente krime elektorale.

“Deklarata e kryetarit të partisë nuk është kompetencë dhe është përgjegjësi, dhe si përgjegjësi ajo nuk mund të delegohet”, tha Celibashi.

Ai kërkoi që dokumentacioni të plotësohet me shkresën e firmosur nga Lulzim Basha si njeriu që figuron kryetar i PD në gjykatë, ndërsa të dyja palët duket se do t’i drejtohen Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve. “Ndaj do t’iu jap 48 orë kohë për të bërë plotësimet e kërkuara. Domosdoshmërish për deklaratën e kryetarit të partisë”, tha ai.

Nëse Basha do të dërgojë në KQZ shkresën e firmos rishtazi si kryetar i partisë, do të pranojë se dorëheqja e tij gati një vit më parë ka qenë fiktive. Përndryshe, ai do të rrezikojë mos regjistrimin e PD në zgjedhje, për mungesë dokumentacioni. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/03/09/berisha-apo-alibeaj-kreu-i-kqz-do-te-vleresojme-kush-e-ka-tagrin-per-regjistrim/

A2 CNN Livestream

Latest Videos