
Presidenti i zgjedhur Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve që të ndërmarrin hapa për të qëndruar të sigurt gjatë festës së Falënderimeve, teksa rastet me COVID-19 rriten, ndërsa Presidenti Donald Trump fali një ish-ndihmës i cili u deklarua dy herë fajtor për gënjeshtër të FBI.
Biden mbajti një fjalim në stilin presidencial duke pranuar lodhjen e njerëzve mes kufizimeve të pandemisë së koronavirusit, por i nxiti ata të tregonin kujdes ndërsa rastet rriteshin.
“E di që vendi është lodhur nga lufta. Ne duhet të kujtojmë, se ne jemi në luftë me virusin, jo me njëri-tjetrin", tha Biden, ndërsa u bëri thirrje amerikanëve të heqin dorë nga grumbullimet e mëdha familjare që shoqërohen me festën e Falënderimeve, të mbajnë maska mbrojtëse dhe të mbajnë distancën shoqërore.
Biden tha tha se do të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të adresuar pandeminë e koronavirusit kur ai të marrë detyrën më 20 janar. Gjatë fushatës, Biden akuzoi Trump, për panik dhe dorëzim përballë krizës së shëndetit publik.
Menjëherë pas fjalimit të Biden dhe në prag të festës së Falënderimeve, Trump fali ish-këshilltarin e tij të sigurimit kombëtar Michael Flynn, i cili ishte deklaruar dy herë fajtor për një gënjeshtër ndaj FBI-së në lidhje me kontaktet e tij me ish-ambasadorin rus në Uashington.
Michael Flynn iu desh të përballej me një betejë të gjatë ligjore me prokurorët federalë, si rrjedhojë e hetimit për çështjen e Rusisë.
Kjo shënoi rastin më të fundit në të cilin Trump ka përdorur fuqinë e tij të mëshirës ekzekutive për të përfituar një mik apo bashkëpunëtor.
Presidenti Trump e njoftoi lajmin në Twitter në prag të festës së Falënderimeve.
“Është nderi im i madh të njoftoj se Gjeneralit Michael T. Flynn i është dhënë Falje e Plotë. Urime@GenFlynn dhe familjes së tij të mrekullueshme; e di që tani ju do të kaloni një festë Falënderimesh vërtet fantastike!” shkruante ai.
Falja i jep fund një odiseje të gjatë ligjore për zotin Flynn, i vetmi anëtar i administratës Trump ndaj të cilit u ngritën akuza si pjesë e hetimit për Rusinë, të kryer nga prokurori i posaçëm, Robert Mueller.
Ai pranoi fajësinë në vitin 2017, për akuzat se kishte gënjyer FBI-në rreth kontakteve të tij me ambasadorin rus në Uashington.
Flynn ishte ndër ndihmësit e parë të presidentit që pranoi fajin në hetimin e prokurorit Mueller dhe për muaj të tërë ai bashkëpunoi mjaft me prokurorët. Bashkëpunimi ishte aq i gjerë saqë prokurorët nuk rekomanduan burgim dhe lanë të kuptohej se do të ishin të kënaqur me një lirim me kusht.
Por, falja e Michael Flynn, u prit me zemërim nga demokratët. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se ky është një abuzim i pacipë me pushtetin.
"Falja e Presidentit Trump të Michael Flynn, i cili dy herë u deklarua fajtor për gënjeshtër ndaj FBI në lidhje me marrëdhëniet e tij me një kundërshtar të huaj, është një akt i korrupsionit të rëndë dhe një abuzim i pacipë i pushtetit", tha në një deklaratë Nancy Pelosi. (A2 Televizion)