Presidenti amerikan Donald Trump ngriti dyshime mbi vetëvrasjen e Jeffrey Epstein në burg dhe konfirmoi shprehjen mbështetëse për partneren e tij, Ghislaine Maxwell, gjithashtu të arrestuar për trafikim të miturish për shfrytëzim seksual.
Presidenti u pyet pse kishte deklaruar më parë se i uronte gjithë të mirat ish-të dashurës së Epstein, gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë. “I dashuri i saj u vra ose kreu vetëvrasje në burg, tani është ajo në burg. Prandaj i uroj gjithë të mirat, ia uroj të gjithëve. Paç fat, le ta provojnë që është fajtore. I dashuri i saj vdiq në burg dhe njerëzit ende po përpiqen të zbulojnë sesi ndodhi. Ishte vetëvrasje? Apo u vra? Dhe pikërisht për këtë i uroj gjithë të mirat”, u shpreh presidenti në një intervistë për rrjetin televiziv HBO.
Marrëdhënia e presidentit me Epstein dhe Maxwell është vënë në diskutim së fundmi, pasi ata kanë frekuentuar të njëjtat ambiente dhe rrethe shoqërore prej vitesh. Dikur Trump e ka përshkruar të dënuarin për pedofili si njeri të jashtëzakonshëm. Mes miqve të shquar të tij kanë qenë edhe figura të tjera të famshme, si ish-presidenti Bill Clinton dhe Princi i Anglisë, Andrew. (A2 Televizion)