
Edhe pse nuk e ka konfirmuar ende zyrtarisht, Donald Trump e bëri të qartë ambicien për të kandiduar në presidencialet e vitit 2024, ashtu si ai di ta bëjë më mirë: duke sulmuar çdo rival të mundshëm që guxon ta sfidojë.
Ish-presidenti vuri në shënjestër guvenatorin republikan të Floridës, Ron De Santis, i cili me fitoren bindëse në “shtetin e diellit” i hapi rrugën një kandidature të mundshme për nominimin demokrat për Presidencë. Trump, i cili ka sinjalizuar se do të shpallë kandidaturën më 15 nëntor, e cilësoi De Santis një politikan pa peshë, i cili kishte fituar popullaritet vetëm falë mbështetjes së tij: “Ron kishte mbështetje të ulta, ishte keq në sondazhe dhe nuk kishte para. Por, ai tha se nëse unë do ta përkrahja mund të fitonte. Unë i ktheva në binarë edhe fushatën elektorale, e cila kishte filluar të copëtohej”.
Ai shkon më tej duke u ankuar se De Santis, të cilin e ka pagëzuar Ron De Sanctimonious, i mungonte besnikëria dhe po luante lojëra duke refuzuar të përjashtonte kandidaturën presidenciale: “Në terma të besnikërisë dhe klasit, kjo nuk është përgjigjja e duhur”.
Por, ndërsa De Santis po shijon “dushin” e lavdisë pas rizgjedhjes bindëse, Trump po fajësohet nga republikanët për performancën zhgënjyese në zgjedhjet e mesit të mandatit. Aleatët e ish-presidentit i kanë kërkuar atij të shtyjë njoftimin e planifikuar për më 15 nëntor, kur mendohet se do të shpallë kandidaturën për presidencialet.
Ata duan që vëmendja në ditët në vazhdim të përqendrohet në shtetin e Xhorxhias, ku kandidati i mbështetur nga Trump, Herschel Walker, është në balotazh me senatorin aktual demokrat Raphael Warnock. Gara mund të jetë përcaktuese për të vendosur mbi fatin e kontrollit të Senatit.
Ende pa u shpallur janë edhe rezultatet në Arizona dhe Nevada, ku kandidatët janë kokë më kokë. (A2 Televizion)