Tryeza për reformën zgjedhore, Krasniqi: Përgjigje ndaj SPAK-ut, palët bëhen bashkë kur kërcënohen

Nga A2 CNN
15 Janar 2020, 11:10 | Politikë
Tryeza për reformën zgjedhore, Krasniqi: Përgjigje ndaj SPAK-ut,

Analisti i A2, Afrim Krasniqi, bëri një koment të detajuar të tryezës së një dite më parë të mazhorancës dhe opozitës jashtë Parlamentit, ku u arrit një marrëveshje për reformën zgjedhore.

Ai thekson se opozita i ka humbur të gjitha dhe aktualisht është duke kërkuar një mekanizëm për t’u rikthyer. Krasniqi e vlerëson si të pamoralshëm uljen e opozitës me bashkëkryetarin e Reformës Zgjedhore, pas akuzave ndaj tij.

Më tej, ai thekson se tryeza e një dite më parë edhe një përgjigje ndaj SPAK-ut. Sipas tij, palët bëhen bashkë kur kërcënohen.

“Është tipike në praktikën shqiptare të kemi një vit krizë dhe një vit dialog. Në rastin konkret, në fund fare është lajm i mirë për shqiptarët. Nga ana tjetër, tryeza e djeshme solli një problematikë që ne kemi në politikën shqiptare, kurrë krizat nuk janë zgjidhur në institucione dhe kurrë nuk janë zgjidhur në mënyrë institucionale. Kjo marrëveshje krijoi një mekanizëm që është ekstra parlamentar. Kjo është një marrëveshje e mbyllur për të cilin nuk kemi bindjen se është ajo që prisnin shqiptarët. Ky mekanizëm i krijuar është futur në nivel politik dhe ka futur të gjitha palët brenda, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për krizën e deritanishme. Është bërë në një mënyrë të tillë që nuk garanton për të pasur reformë zgjedhore. Këto marrëveshje janë të rëndësishme, por janë më shumë për t’i dhënë më shumë fuqi, për t’i dhënë imunitet dhe për të rikthyer në lojë aktorë të caktuar politik”.

https://a2news.com/2020/01/14/firmoset-marreveshja-reforma-zgjedhore-perfundon-brenda-15-marsit/

“Opozita i ka humbur të gjitha, po kërkon mekanizëm për t’u rikthyer”

“Opozita nuk ka asgjë për të humbur, pasi praktikisht i ka humbur të gjitha. Duke qenë jashtë sistemi, po kërkon një mekanizëm për t’u rikthyer në sistem. Unë jam i bindur se ata që konsiderohen anëtarë mbështetës të opozitës, me siguri do të kenë mbetur të zhgënjyer nga kjo marrëveshje. Megjithatë, nuk ka një mekanizëm tjetër për t’u rikthyer. Me këtë tryezë ka fituar më shumë mazhoranca, e cila vazhdon të qeverisë.

“E pamoralshme amnistia që palët i bëjnë njëra-tjetrës”

“Është interesant fakti që të gjithë janë të gatshëm t’i japin amnisti njëri-tjetrit. Fakti që dje i dhanë amnisti Gjiknurit, është një lajm i keq për shqiptarët. Nëse palët pranojnë t’i japin amnisti njëri-tjetrit në mënyrë kaq të pamoralshme dhe të na e shesin këtë si vlerë, imagjino se çfarë do të bëjnë kur nuk ka kamera dhe ku nuk ka vëzhgues tjetër”.

https://a2news.com/2020/01/14/ne-tryeze-me-gjiknurin-vasili-nuk-imponojme-zgjedhjet-e-ps/

“Tryeza, përgjigje ndaj SPAK-ut, palët bëhen bashkë kur kërcënohen”

“Liderët politikë kanë pasur ura të vazhdueshme komunikimi këtë periudhë përmes kanaleve të tjera, jo vetëm diplomatëve ndërkombëtarë, ka pasur edhe biznesmenë shqiptarë të përfshirë dhe individë të tjerë që janë munduar të ofrojnë imunitet për njëri-tjetrin. Është interesante, pasi kjo marrëveshje vjen rreth një muaj pas krijimit të SPAK-ut dhe është gati-gati një lloj koalicioni, i cili krijon një situatë hermetike ndaj çdo hetimi që do të fillojë ndaj figurave kryesore politike në emër të konsensusit. Reforma zgjedhore është një përgjigje që jepet për SPAK-un, një mesazh që u jepet ndërkombëtarëve, nëse ka një kërcënim përballë, të gjitha palët bashkohen kundër këtij kërcënimi”.

“Ky moment do të shfrytëzohet për negociata të tjera politike”

“Data 15 mars është për Bundestagun dhe jo për Shqipërinë. Do ta shohim që kur të dalë drafti final nuk do të ketë asnjë lajm sepse nuk do të ketë asnjë ndryshim themelor. Ky moment do të shfrytëzohet për negociata të tjera politike. Procesi i kompromisit do të vazhdojë në disa nivele”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2020/01/14/bardhi-reforma-zgjedhore-nuk-do-te-diktohet-nga-qeveria-e-votave-te-blera/
https://a2news.com/2020/01/14/marreveshja-politike-cfare-leshuan-palet-per-te-shkuar-drejt-akordit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos