Hetimet për Bashën, kronologjia e shpërbërjes së grupit të prokurorëve

Nga A2 CNN
14 Janar 2020, 20:19 | Politikë
Hetimet për Bashën, kronologjia e shpërbërjes së grupit

Në fund të nëntorit të vitit 2017, Prokuroria e Tiranës njoftoi me bujë se kishte nisur verifikimet për pagesat ndaj disa kompanive në SHBA, të cilave u ishin paguar pothuajse 1 milion dollarë për lobim në Uashington.

Socialistët akuzuan Lulzim Bashën se përdori disa kompani “offshore” për transferimin e fondeve drejt një kompanie lobimi në SHBA. Çfarë i rëndoi pozitat e Bashës ishte deklarata e lobistit amerikan që i dëshmoi autoriteteve amerikane se 625 000 dollarë ishin paguar nga Partia Demokratike.

11 ditë para zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, Lulzim Basha do të merrej i pandehur. Dosja u finalizua 6 muaj më pas, kur dolën në pah edhe përplasjet mes grupit hetimor.

Kol Hysenaj, prokurori që nuk pranoi të firmoste dërgimin në gjykatë vetëm me akuzën e falsifikimit, u tërhoq. Dy prokurorët e tjerë, Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha, pranuan të dërgojnë në gjykatë dosjen, pa akuzën e pastrimit të parave, mes të cilës fshihej edhe pretendimi i Partisë Socialiste për financim nga Rusia.

Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Ymeraj, tërhoqi dosjen në zyrën e saj për disa javë, për të vendosur më pas dërgimin në gjykatë. Seancën e parë paraprake, u shënua edhe përplasja e dytë mes prokurorëve. Ervin Karanxha u largua duke u përjashtuar nga gjykimi, Gjergji Tako dhe Kol Hysenaj ishin të ndarë, pasi i pari i qëndroi firmës së tij për dërgimin e dosjes në gjyq, ndërsa i dyti kërkoi shtyrjen e afateve me qëllim marrjen në pyetje të lobistit amerikan.

Qëndrimi i grupit të prokurorëve për çështjen e financimit të lobimit të PD-së përbën një nga rastet më të rralla kur një grup prokurorësh shpërbëhet, duke lënë hetimet në mëshirë të fatit. Në këto kushte, vendimi i gjykatësit Lazer Sallaku u përshëndet nga opozita, por u sulmua më pas nga socialistët, duke shtuar tensionin politik dhe duke krijuar akoma më shumë amulli, në një prej çështjeve më të debatuara nga opinioni publik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos