
Fluksi i hyrjeve të shtetasve të huaj në territorin shqiptar është rritur ndjeshëm gjatë muajit Prill. Sipas shifrave të INSTAT, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar rreth 410 mijë vizita, me një rritje vjetore prej 16,6%.
Kjo përbën një kthesë për turizmin, pas ecurisë anemike të tre muajve të parë të vitit në kontrast me pritshmëritë e larta për këtë sektor. Të dhënat tregojnë në rritje edhe numrin e vizitorëve nga Kosova, që gjatë tremujorit duket se ishin stepur nga tarifa në Rrugën e Kombit. Megjithatë për periudhën janar-prill, hyrjet e shtetasve nga Kosova rezultojnë në rënie me 6,4%.
Nga ana tjetër, vizitat janë rritur ndjeshëm nga Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Spanja dhe Gjermania. Ndërkohë që vijon trendi pozitiv për dy grupe të rëndësishëm turistësh: ata nga Italia dhe Polonia. (A2 Televizion)