Turizmi mjekësor, tjetër potencial i pashfrytëzuar në vend

Nga A2 CNN
27 Shtator 2021, 10:54 | Aktualitet

Shqipëria ka lloje të ndryshme turizmi. Ai për qëllime mjekësore është njëri prej tyre. Më shumë se 5600 qytetarë të huaj, kryesisht italianë kanë ardhur në vend në 7 vitet e fundit për trajtime shëndetësore, ndërsa shifra ka qenë në rënie nga vit në vit.

Po me çfarë lloj shërbimesh mjekësore arrin Shqipëria të tërheqë të huajt?

 “Turizmi dentar ai është më i përhapuri, por në botë trendet shkojnë përtej turizmit dentar, dhe flas për pjesën e kirurgjisë estetike, transplantet, etj.”, thotë Dritan Gremi, sipërmarrës në fushën e turizmit mjekësor.

Fatkeqësisht, potenciali që turizmi mjekësor ofron nuk po shfrytëzohet. Faktorët kanë qenë të shumtë, duke nisur nga abuzimi me çmimet, përdorimi i bazës dentare jocilësore, konkurrenca rajonale, e mbi të gjitha imazhi i Shqipërisë në botë.

Sipërmarrësi thotë se pikërisht imazhi është pika kryesore ku çdo politikbërje duhet të fokusohet, për ta bërë vendin tonë sa më tërheqës.

Dritan Gremi, sipërmarrës në fushën e turizmit mjekësor

“Duhet të përmirësojmë imazhin e Shqipërisë në botë, nuk mund të pretendojmë që turizmi shëndetësor të bëhet industri pa u përmirësuar brendi Made in Albania”, thotë Gremi.  

Ashtu si edhe llojet e tjera të turizmit, edhe ai për qëllime shëndetësore u godit nga pandemia. Situata u përkeqësua edhe nga gjendja e Italisë, e cila pësoi një goditje të fortë, duke marrë në konsideratë që shumica e klientëve të huaj që vijnë të marrin shërbime mjekësore janë pikërisht ata. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos