
Një kampion që synonte trofeun e 23-të të Grand Slam në karrierë. Ëndërr e ndërprerë në mënyrën më të befasishme në turin e dytë të Australian Open. Rafael Nadal, numri dy i tenisit botëror dhe kampion në fuqi i eventit në Melburn, i dha lamtumirën turneut.
Ylli spanjoll u dëmtua në muskujt e barkut, në fundin e setit të dytë, në një kohë kur edhe pse ishte në vështirësi, po provonte të përmbyste ndeshjen në favorin e tij. 36-vjeçari vendosi të mos dorëzohej dhe të vazhdonte lojën, por u thye nga amerikani Mackenzie McDonald, i cili është i 65-ti në renditje.
Dueli zgjati dy orë dhe përfundoi në tri sete me rezultatin 6-4, 6-4, 7-5. Nadal kërkoi dy herë ndërhyrjen e mjekëve në fushë, por nuk ishte më në gjendje që të vraponte apo të rivalizonte fizikisht me kundërshtarin.
Edhe pse rrethanat ishin të tilla, McDonald regjistroi fitoren më të madhe të karrierës dhe u kualifikua në turnin e tretë në Melburn. Aty amerikani do të përballet me fituesin e çiftit Yoshihito Nishioka dhe Dalibor Svrcina. (A2 Televizion)