U kualifikua në Olimpiadë, peshëngritësi Erkand Qerimaj tregon objektivin e tij në “Dita jonë”

Nga A2 CNN
23 Qershor 2021, 09:15 | Sporte të tjera
U kualifikua në Olimpiadë, peshëngritësi Erkand Qerimaj

Peshëngritësi i mirënjohur, Erkand Qerimaj, ishte i ftuar në studion e “Dita jonë” për të folur mbi kualifikimin e tij në Olimpiadën e Tokios dhe objektivat që ka në këtë event madhështor sportiv.

Sportisti shkodran theksoi se ka rreth 3 vite që grumbullon pikët për kualifikimin: “Kemi 3 vite që bëjmë gara kualifikuese, kemi marrë pjesë në Evropian, Botëror dhe gara të tjera për të mbledhur pikë për Olimpiadën. Kjo është hera ime e dytë që marr pjesë në Olimpiadë, pas asaj të vitit 2008. Është ëndërr për sportistët dhe trajnerët, është si Kampionati Botëror i Futbollit”.

Erkand Qerimaj është një nga 3 sportistët e vetëm shqiptarë që janë kualifikuar në “Tokio 2020”: “Jemi vetëm 3 sportistë të kualifikuar, Luiza Gega, Briken Calja dhe unë. Nuk është e lehtë të kualifikohesh dhe të përfaqësohesh mes elitës së botës”.

Qerimaj falënderoi edhe kompanitë që e kanë sponsorizuar: “Ka pasur kompani që më kanë mbështetur gjatë karrierës sime, siç është edhe Gener2, pasi për të arritur rezultate duhet mbështetje jo vetëm nga institucionet që e kanë për detyrë, si federata dhe Komiteti Olimpik”.

Në lidhje me objektivat e tij, Qerimaj u shpreh: “Kemi qenë paksa në stres derisa doli zyrtarisht njoftimi për pjesëmarrjen time. Sapo doli, po stërvitem dy herë në ditë. Institucionet ende nuk kanë hyrë në veprim për një përgatitje më speciale, siç e kanë vendet e tjera. Aktualisht, po stërvitem individualisht, me trajnerin. Synimi është për të qenë ndër më të mirët e botës. Do të mundohem të jap maksimumin për të arritur rezultatet e mia më të mira”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos