“U ndjeva mirë duke goditur tifozët”, sherri më i madh në historinë e basketbollit

Nga A2 CNN
28 Prill 2023, 10:56 | Sporte të tjera

Sherri masiv mes basketbollistëve të Realit të Madridit dhe Partizanit të Beogradit është një nga episodet më të errëta të Euroligës, që është ekuivalente e Champions League në futboll.

Por, elita e basketbollit njeh edhe një sherr masiv shumë më të rëndë, që ka ndodhur në kampionatin më të bukur dhe të ndjekur në botë: NBA. Më 19 nëntor 2004, ndodhi sherri më i rëndë në historinë e sportit profesionist amerikan. Lojtarët e Indiana Pacers dhe Detroit Pistons u përleshën me njëri-tjetrin e më pas edhe me tifozët e pranishëm në pallatin e sportit Auburn Hills.

Autoritetet e drejtësisë, jo vetëm të asaj sportive, dhanë dënime të ashpra: në total 146 ndeshje pezullim dhe 11 milionë dollarë gjobë për lojtarët, mes të cilëve Ron Artest, Stephen Jackson dhe Jermaine O'Neal. Artest u dënua me 86 ndeshje pezullim, ndëshkimi më i madh në histori.

Gjithçka nisi me një faull të ashpër dhe të panevojshëm të Ron Artest. Pasi arbitrat ndanë me vështirësi lojtarët që u përfshinë në sherr, u duk se situata u qetësua. Në këtë moment, një tifoz vendas i hedh gotën e birrës Artestit, i cili luante për Indiana Pacers. Basketbollisti hyn mes tifozëve dhe godet me grusht atë që mendoi se e goditi me birrë. Shokun e tij e ndoqi Stephen Jackson, i cili më vonë e ka pranuar që mezi po e priste atë moment.

“Pas të gjithë ofendimeve raciste që dëgjova, sharjet ndaj nënës sime dhe fëmijëve të mi, u ndjeva mirë duke goditur me grusht tifozët”, thonte Jackson për ESPN.

Dënimet për lojtarët e Pistons pas sherrit:

Ben Wallace: 6 ndeshje dhe 400 000 dollarë

Chauncey Billups: 1 ndeshje dhe 60 611 dollarë

Elden Campbell: 1 ndeshje dhe 48 888 dollarë

Derrick Coleman: 1 ndeshje dhe 50 000 dollarë.

Dënimet për lojtarët e Pacers pas sherrit:

Ron Artest: 86 ndeshje dhe 4 995 000 dollarë

Stephen Jackson: 30 ndeshje dhe 1 700 000 dollarë

Jermaine O'Neal: 15 ndeshje dhe 4 111 000 dollarë

Anthony Johnson: 5 ndeshje dhe 122 222 dollarë

Reggie Miller: 1 ndeshje dhe 61 111 dollarë.

Përveç lojtarëve, pati edhe ndjekje penale për tifozët që u përfshinë në sherr, për faktin se zbritën në parket për të goditur lojtarët kundërshtarë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/04/28/turp-ne-eliten-e-basketbollit-evropian-sherr-masiv-mes-lojtareve-te-realit-dhe-partizanit-te-beogradit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos