
Policia ka arrestuar një 34-vjeçar, të mbetur të plagosur me armë zjarr më 3 janar. Gjithashtu në pranga ka përfunduar edhe shoku i tij, i cili e kishte transportuar për në spital të plagosurin.
Sipas policisë, të dy këta persona akuzohen për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Të dy të arrestuarit, i plagosuri V.P., 34 vjeç, dhe shoku i tij, M.M., 29 vjeç, janë banues në fshatin Zhejë, Kurbin.
“Shtetasi M. M., më datë 03.01.2022, rreth orës 19:00, ka transportuar nga lagjja Bahçallëk, Shkodër, në Spitalin Rajonal Lezhë, shtetasin V. P., dhe më pas është larguar, pa njoftuar Policinë. Shtetasi V. P., i cili aktualisht po merr mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë, nuk ka njoftuar Policinë për ngjarjen dhe ka penguar organet e Policisë për zbardhjen e saj, duke mos deklaruar rrethanat”, tha Policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje dhe zbardhjen e rrethanave të saj.
Pasi iu dha ndihma e parë në spitalin e Lezhës, 34-vjeçari u dërgua drejt spitalit të Traumës në Tiranë. Sipas informacioneve, ai mësohet se është i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet për një vrasje në Malin e Zi. (A2 Televizion)