U qëllua me armë gjatë një aktiviteti elektoral, vdes ish-kryeministri japonez

Nga A2 CNN
8 Korrik 2022, 11:01 | Bota
U qëllua me armë gjatë një aktiviteti elektoral, vdes

Ky është momenti dramatik kur ish-kryeministri japonez Shinzo Abe u qëllua me armë zjarri gjatë një aktiviteti elektoral në Nara.

67-vjeçari u qëllua dy herë, me plumbin e dytë që e goditi në qafë, duke bërë që të shembet përdhe. Abe u dërgua në gjendje të rëndë në spital, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra. Vdekja e tij u konfirmua pak orë më vonë.

Gjendja u vlerësua si kritike që prej fillimit, me guvernatorin e Tokios, Yoichi Masuzoe, që tha në një postim në Twitter se ish-lideri kishte pësuar arrest kardiopulmonar, term që përdoret para konfirmimit të vdekjes në Japoni.  

Policia ka arrestuar një 41-vjeçar, i cili dyshohet të jetë autor i sulmit. I identifikuar si Tetsuya Yamagami ai thuhet të jetë banor i Naras dhe sipas mediave lokale ka qenë ish-pjesëtar i forcave të marinës në Japoni. Ai përdori një armë artizanale dhe u ndalua menjëherë nga forcat e sigurisë pas të shtënave.

Shinzo Abe, kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, e mbajti këtë post për një vit në 2006 dhe më pas nga 2012 deri në 2020, kur u dorëhoq për arsye shëndetësore.

Aktualisht, po bënte fushatë për ish-partinë e tij në prag të zgjedhjeve legjislative të së dielës.

Incidentet me armë zjarri janë të rralla në Japoni, ku pistoletat janë të ndaluara, ndërsa rastet e dhunës politike janë thuajse të padëgjuara. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/07/08/qellohet-me-arme-zjarri-ish-kryeministri-i-japonise-shinzo-abe/
https://a2news.com/2022/07/08/vrasja-e-ish-kryeministrit-japonez-lideret-boterore-shprehin-ngushellime-per-humbjen-e-abe/

A2 CNN Livestream

Latest Videos