
Kushdo që e shikon nëpërmjet pamjeve do të shprehte dëshirën për ta vizituar këtë mrekulli të natyrës, që quhet ujëvara e Sotirës, në bashkinë e Gramshit.
Natyra këtu ka qenë më shumë se bujare, me ujin, gjelbërimin dhe gjithçka tjetër që ajo ka pasur në dorë. Por, pjesa që u takon njerëzve dhe aq më tepër institucioneve lë shumë për të dëshiruar.
Për të mbërritur në ujëvarën e Sotirës nuk është e lehtë. Duhet të udhëtosh për gati një orë e 30 minuta nga qendra e Gramshit, duke përshkuar 20 kilometra rrugë të paasfaltuar dhe që mund të kalohet vetëm me mjete të larta.
Mungesa e infrastrukturës penalizon si vizitorët ashtu edhe bizneset vendas që mezi presin të kenë vizitorë pranë lokaleve dhe restoranteve që kanë hapur në zonë.
Rruga e vështirë pranohet edhe nga drejtuesit e pushtetit lokal, të cilët me sa duket janë ende në fazën e kohës së ardhme - do të investojmë, do të ndërhyjmë, por se kur konkretisht nuk dihet.
E derisa autoritetet të vendosin të ndërhyjnë për të rregulluar sa do pak rrugët, vizitorët duhet të vuajnë për të arritur në këto bukuri, të cilat na i ka falur natyra, por që u mungon vëmendja e duhur për t’u vizituar nga të gjithë. (A2 Televizion)