Ukraina feston çlirimin e Kherson, Zelensky: Atje nuk ka as ujë e energji, në lindje përballemi me ferrin

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2022, 14:59 | Bota
Ukraina feston çlirimin e Kherson, Zelensky: Atje nuk ka as ujë e

Brohorima, lot gëzimi dhe përqafime. Janë skenat që vijnë nga qyteti i Kherson, i çliruar së fundmi nga pushtimi rus.

Banorët u rreshtuan nëpër rrugë për të pritur si heronj trupat ukrainase, të cilët hynë të shtunën në vend pas tërheqjes së plotë të rusëve.

“Nuk mundem as të flas, jam e mbushur me emocione. Nuk e besoj dot se çlirimi erdhi. Zot na beko!”, thotë një qytetare.

Presidenti Ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi ai një ditë historike rikthimin e forcave të tij në qytetin juglindor të Khersonit por tha se situata humanitare atje ishte ekstremisht e vështirë pasi rusët kishin shkatërruar të gjithë infrastrukturën kritike.

 “Forcat tona kanë marrë kontrollin në më shumë se 60 koloni të rajonin të Kherson. Para se të largoheshin, pushtuesit shkatërruan të gjithë infrastrukturën kritike; linjat e komunikimi, furnizimet me ujë; ngrohjen dhe elektricitetin”, tha presidenti Zelensky.

Por ndërsa u zotua se do të riparonin shpejt infrastrukturën e shkatërruar në Kherson, Zelensky foli me tone të zymta për situatën në rajonin lindor të Donjetks, ku i përshkroi si një ferr të vërtetë sulmet e përsëritura të Rusisë.

“Atje është nje ferr i vërtetë. Zhvillohen beteja ekstremisht të ashpra çdo ditë. Por njësitë tona po luftojnë me guxim, po durojnë presionin e tmerrshëm të pushtuesve dhe po ruajnë pozicionet e mbrojtjes”, shtoi Zelensky.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat vendase kanë neutralizuar rreth 650 trupa ruse më 12 nëntor, çka sinjalizon se Kievi po vazhdon me vetëbesim kundërofensivën për të marrë territorin e pushtuar nga forcat e Moskës.

Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar tërheqjen e Rusisë nga Khersoni si “fitore të jashtëzakonshme” për Ukrainën. Ndërsa Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, parashikoi se “dështimi strategjik” i Moskës në Kherson do të ndjellë mëdyshje në mesin e publikut rus lidhur me luftën në Ukrainë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos