Ukraina vijon sulmet e saj me dron drejt objektivave ushtarake brenda territorit të Rusisë. Kievi pretendon se këtë të premte ka arritur të sulmojë me dron kamikaz një fabrikë të prodhimit të pajisjeve elektronike për raketat e Vladimir Putin.
Sulmi ka ndodhur në uzinën Tomilinsky Electronics në Lyubertsy afër Moskës.
Ndërkohë, Rusia ka zhvilluar plane të ndryshme për vrasjen e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Këtë e njoftoi kreu i inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes në Kiev, Kiril Budanov, duke shtuar se të gjitha ato tentativa janë shmangur.
Vetë Zelensky, gjatë një eventi tha se “nëse është e vërtetë që Vladimir Putin ka vrarë Yevgeny Prigozhin, kjo është një shenjë që tregon se sa i dobët është presidenti rus”.
“Është e pamundur të negociosh me Putinin, pasi ai nuk arrin të mbajë premtimet e tij. Kjo tregon se fjala e tij është fare e pavlerë”, tha lideri ukrainas duke nënvizuar se Putin ka pasur frikë nga kreu i Wagner, prandaj e ka eliminuar.
Zelensky shtoi se “pa rimarrjen e Krimesë, Donbasit dhe territoreve të pushtuara nuk mund të ketë paqe në Ukrainë dhe as në Europë”. (A2 Televizion)