Ulen dyshimet për AstraZeneca, së shpejti vaksinim masiv, Manastirliu në "fushatë"

Nga A2 CNN
19 Mars 2021, 16:43 | Aktualitet
Ulen dyshimet për AstraZeneca, së shpejti vaksinim masiv, Manastirliu

Deklarata e Autoritetit Europian të Barnave se Astrazeneca është një vaksinë e sigurt dhe e efektshme ka ulur dyshimet edhe tek mësuesit në Shqipëri.  

Një ditë pas qëndrimit të EMA-s janë rritur vaksinimet në shkolla dhe sipas Ministres së Shëndetësisë deri tani Astrazeneca nuk ka dhënë probleme shëndetësore.

“Eshtë ulur hezitimi që kemi hasur në ditët e para. Autoriteti Europian i Barnave dje ka deklaruar se vaksina e AstraZeneca-s është një vaksinë e cila ka siguri dhe efektivitet. Është një vaksinë që ofron një mbrojtje madje edhe më të lartë sa ç’është vërtetuar deri tani në fazat e testimit të saj”, tha ministrja.

Ministrja Manastirliu përforcoi deklaratën se së shpejti nis vaksinimi masiv në Shqipëri, por pa dhënë detaje për negociatat dhe kompaninë që do të sjellë vaksinat.

“Jemi drejt përfundimit të negociatave dhe besojmë që shumë shpejt do të kemi lajme të mira përsa i përket fillimit të një vaksinimi masiv, duke ulur gjithashtu edhe grupmoshat për vaksinimin. Deri tani mbi 6 mijë mësues kanë marrë vaksinën e Atrazeneca, ndërsa mbi 30 mijë mjekë, infermierë e të moshuar kanë kryer vaksinën e Pfizer.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos