
Pas sigurimit të eurobondit 500 milionë euro në tetor, qeveria ka hapësira të kufizuara për të marrë borxh të ri. Kjo duke pasur parasysh edhe detyrimin për konsolidim fiskal, e thënë ndryshe ulje të borxhit deri në 65% vitin e ardhshëm.
Një situatë të tillë, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, e shiti si një tërheqje të qeverisë nga tregu i brendshëm për t’i lënë hapësirë biznesit dhe qytetarëve për t’u kredituar. “Tërheqja e qeverisë nga tregu i brendshëm lë hapësirë më shumë për bankat që të japin kredi për ekonominë, për privatët, që është edhe qëllimi. Dhe e dyta, ul interesin”, tha Arben Ahmetaj.
Borxhi konsiderohet problemi kryesor i ekonomisë shqiptare. Kjo duke pasur parasysh edhe koncensionet që po jepen në kuadër të programit 1 miliard euro të qeverisë. Kosto që shlyhen nga
buxheti dhe që qeveria nuk i përfshin tek treguesi i borxhit, që sipas saj pritet të zbresë në 69.5% deri në fund të vitit.
Një përllogaritje që nuk jep vlerën reale të borxhit që qeveritë kanë marrë në vite, por që rëndon mbi qytetarët dhe brezat e ardhshëm. (A2 Televizion)