Kur do të lëvizin trenat në hekurudhën Tiranë-Durrës? Përgjigjet ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2026, 19:41 | Politikë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi në një intervistë për gazetarin Mario Brakaj në A2CNN iu përgjigj pyetjes se kur do të mund të udhëtojnë shqiptarët me tren në linjën Tiranë-Durrës dhe anasjelltas.

Ministri vuri në dukje se elektrifikimi është hallka e fundit e procesit që pritet të përfundojë, dhe tashmë po pritet vetëm “OK”-i i BERZH-it për subjektin e përzgjedhur. Fill pas kësaj do të duhen 12 muaj që elektrifikimi të përmbyllet dhe të përmbushet infrasatruktura e plotë për lëvizjen me tren.

“Infrastruktura e shinave është pothuajse e mbaruar, janë gati 90 për qind e punimeve të realizuara. Kontrata e dytë që lidhim me stacionet është rreth 75 për qind e zhvilluar, pra jemi në përfundimin përkatës së saj. Përmirësimi i fundit ishte elektrifikimi, pra me çfarë do lëviznin vagonat dhe kontrata e elektrifikimit, e financimit, është miratuar para 3-4 muajsh në Parlament. Gara për përzgjedhjen e subjektit që do bëjë elektrifikimin, që është ndërkombëtare, tashmë ka përfunduar, është shpallur fituesi, dhe ka mbetur aprovimi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që është financuesi. Nëse ky miratim nga BERZH jepet sonte, duhen 12 muaj që elektrifikimi të përmbyllet. Në momentin që përmbyllet elektrfikimi, infrastuktura është e plotë. Nëse do më thuash kur përfundon projekti, të them 12 muaj nga lidhja e kontratës që ka mbetur për elektrifikimin, kjo mund të ndodhë sot apo nesër”.

Një tjetër element i rëndësishëm për vënien në funksion të hekurudhës është përzgjedhja e operatorit që do të menaxhojë dhe kryejë transportin hekurudhor. Ministri bëri të ditur se është parashikuar një procedurë për përzgjedhjen e një operatori ndërkombëtar me përvojë në këtë fushë, ndërsa procesi po mbështetet edhe nga Bashkimi Evropian.

“Kemi shpallur tashmë një procedurë për përzgjedhjen e një operatori ndërkombëtar me eksperiencë. Kudo në Europë operimi i linjave të trenave bëhet nga operator. Jemi edhe këtu duke u suportuar nga BE. Besoj që rreth muajit shkurt ose mars të hapim garën ndërkombëtare dhe besoj që do jemi pak a shumë të ravijëzuar mes përfundimit të elektrifikimit dhe përzgjedhjes së operatorit që do bëjë operimin e linjës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos