Aeroporti i Vlorës, Karakaçi: Ja si do të zgjidhet situata dhe kur pritet të nisin fluturimet

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2026, 19:44 | Ekonomi

Në një intervistë për A2 CNN, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka folur për situatën e krijuar me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, mosmarrëveshjet mes koncesionarëve dhe hapat që po ndërmerr qeveria për zgjidhjen e ngërçit.

Ministri bëri të ditur se kontrata koncesionare është zgjidhur nga ministria, ndërsa institucionet po kryejnë vlerësimet e nevojshme ligjore për të përcaktuar mënyrën se si do të vijojë projekti dhe kur mund të nisë operimi i aeroportit.

 “Aeroporti duhet të ishte funksional në shkurt të vitit 2026, në bazë të kontratës. Dhe kur them funksional, nuk them vetëm i ndërtuar, por edhe operacional, pra të kishte marrë të gjitha licencat dhe të ishte gati për të filluar fluturimet e para. Patjetër, kjo gjë nuk ndodhi”, u shpreh Karakaçi.

 “Nuk e zgjidhëm këtë. Pse nuk e zgjidhëm? Pikërisht sepse ne donim që aeroporti të bëhej. Në fund të ditës, ajo është një infrastrukturë publike për të cilën Shqipëria kishte kontraktuar dhe e meritonte që ta kishte të zhvilluar”, deklaroi ministri.

Por, sipas Karakaçit, situata nuk mori zgjidhje dhe konflikti mes kompanive vijoi të pengonte zhvillimin e projektit. Ai e cilësoi mosmarrëveshjen si një konflikt civil dhe kontraktor mes koncesionarëve, i cili përfundimisht krijoi pasiguri për vijimin e

“Gjatë kohës së zgjidhjes së kontratës së koncesionit, koncesionarët paditën ministrinë në arbitrazh dhe madje kërkuan edhe marrjen e një mase të përkohshme që të ndalonin zgjidhjen e kontratës nga ministria. U trajtua kjo çështje nga arbitri përkatës dhe arbitri përkatës vlerësoi që ministria ishte në të drejtën e saj që të zgjidhte kontratën e koncesionit”, tha Karakaçi.

 “Ministria do të marrë të gjitha masat që lejon kontrata e koncesionit, që ta bëjë operacional në përputhje me kushtet e kontratës. Patjetër, për këtë do të veprojmë sipas asaj që referon legjislacioni në fuqi dhe kontrata koncesionare. E kam të pamundur në këtë moment që t'ju them një afat, pasi ne jemi në fazë vlerësimi të kushteve të kontratës koncesionare dhe nuk dua të prononcoj një afat që mund të ishte i gabuar”, u shpreh ministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos