Uragani Ian gjunjëzon Floridan, mbi 2 milionë njerëz pa energji, erëra shkatërruese e përmbytje

Nga A2 CNN
29 Shtator 2022, 11:47 | Bota
Uragani Ian gjunjëzon Floridan, mbi 2 milionë njerëz pa energji,

Me fuqi katastrofike, uragani Ian preku tokën në shtetin e Floridas pasditen e së martës, duke sjellë me vete erëra deri në 240 km në orë dhe vërshime të rrezikshme uji që përmbytën komunitete. Ai u përplas në shtetin e diellit si një stuhi e kategorisë së katërt duke e kthyer shpejt territorin e sheshtë dhe në nivel të ulët, në skenë shkatërrimi.

Erërat ulëritëse të Ian, që e bënë atë një prej stuhive më të forta që kanë goditur Shtetet e Bashkuara, u zbutën në mënyrë të konsiderueshme gjatë natës. 8 orë pas mbërritjes Ian u zhvlerësua në stuhitë e kategorisë së parë, me erëra deri në 150 km në orë. E megjithatë uragani i shtrirë dhe me lëvizje të ngadaltë, vijoi të lëshojë reshje të dhunshme që përmbytën, rrugë, automjete e banesa.

Guvernatori Ron Desantis paralajmëroi qytetarët të bëhen gati për ditë shumë të vështira.

"A kemi pasur stuhi që kanë qenë po aq të forta sa kjo në Florida? Po. Kemi pasur edhe stuhi që lanë pas shumë ujë dhe përmbytje. Por kjo po i sjell të dyja në tavolinë; erëra ekstremisht të fuqishme dhe përmbytje. Ian do të shkaktojë dëme shumë të mëdha”, tha ai.

Më shumë se 2 milionë njerëz mbetën pa energji elektrike në shtetin e diellit, pas rrëzimit të linjave elektrike si pasojë e erërave të forta. Strukturat e mëdha mbetën kryesisht të paprekura, por në zonat rezidenciale me ndërtesa të ulëta, stuhia la pas një kasaphanë. Pemët dhe linjat e rrëzuara elektrike mbuluan rrugët deri në atë pikë sa asfalti nuk ishte më i dukshëm, çatitë u shkulën nga banesat dhe uji vërshoi nga të gjitha drejtimet në disa lagje. Mijëra njerëz u evakuuan përshirë edhe të burgosur. Meteorologu Mike Seidel, postoi një video dramatike nga Fort Myers, ku erërat ulëritëse dëgjohen teksa përplasen në bregdetin e Floridas. 

“Nuk kam përjetuar asgjë të ngjashme në 30 vjet”, shkruan në Twitter.

Patrulla kufitare e Shteteve të Bashkuara është në kërkim të 23 migrantëve që u zhdukën pasi barka e tyre u fundos gjatë stuhisë. Ian zbarkoi fillimisht në Kubë, ditën e martë, duke lënë të vdekur dy persona dhe duke dëmtuar rrjetin e furnizimit me energji. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos