Urgjencat mjekësore, i nxehti shton problemet shëndetësore edhe në zonat turistike

Nga A2 CNN
6 Gusht 2021, 15:30 | Aktualitet
Urgjencat mjekësore, i nxehti shton problemet shëndetësore edhe

Vapa rrit ndjeshëm fluksin e urgjencave mjekësore. Problemet kardiake dhe humbjet e ndjenjave zënë vendin e parë të urgjencave në këtë periudhë edhe në zonat turistike. Kreu  i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tregon se mbi 15 mijë vizita janë kryer në qendrat shëndetësore verore gjatë një muaji e gjysmë.

Shqetësimeve nga i nxehti i janë shtuar edhe ato nga koronavirusi tek pushuesit që konfirmohen pozitiv. “Qendrat Shëndetësore turistike janë pajisur të gjitha me teste të shpejta. Janë bërë disa dhe janë identifikuar disa persona që më pas janë drejtuar në spitale. Baza e piramidës së sëmundshmërisë është ajo kardiologjike, të shtuar edhe humbja e ndjenjave për arsye edhe të të nxehtit. Temperaturat e larta janë një faktor mund të çojë në gjendje të të fikëtit”, thotë Brataj.

Ai shton se në këto ditë të nxehta, të moshuarit dhe fëmijët duhet të bëjnë kujdes në mënyrë të veçantë. “Nuk duhet të dalin në orët e nxehta dhe sidomos të këshillohen me kardiologun për çdo rast”, është shprehur më tej Brataj.

29 qendra shëndetësore verore, nga veriu në jug, ofrojnë shërbim shëndetësor 24 orë për pushuesit. Këto qendra janë pajisur edhe me teste të shpejta për identifikimin e rasteve të prekur me variantin Delta të koronavirusit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos