
Disa ushqime, të cilësuara si të pashëndetshme për shëndetin e fëmijëve nuk do të lejohen të tregtohen më në ambientet brenda apo pranë shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve të Shqipërisë.
Rregullorja e hartuar nga Ministria e Arsimit në bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë, përfshin një listë me produktet “e ndaluara” dhe ato të lejuara. Por sa i kuptojnë prindërit këtë listë?
Sociologia Eris Dhamo tha në emisionin Debat, nga Alba Alishani se informacioni duhet të jepet jo vetëm për familjet e kryeqytetit, por edhe ato të zonave të thella. “A janë të gjithë prindërit të informuar për listën e përbërësve të ndaluar. Nuk po i referohemi vetëm prindërve që jetojnë në Tiranë. Po prindërit në zona të thella, a janë të ndërgjegjshëm kush janë kripërat e lejuara, karbohidratet?”, tha Dhamo.
Përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Jonida Haxhiu, tha se rregullorja e re është miratuar pas konsultimeve me të gjithë grupet e interesit, përfshi edhe prindërit. “Ministria e Shëndetësisë, bashkë me atë të Arsimit ka parashikuar edhe fushata ndërgjegjësimi për prindërit. Patjetër që do të ketë fushata sensibilizimi e informimi për prindërit, në mënyrë që të gjithë ta marrin këtë informacion”. (A2 Televizion)