Dita e Bastijës, një prej festave më të rëndësishme të Francës, që përkujton rënien e Monarkisë dhe fitoren e Revolucionit, u shënua nga një risi teknologjike por edhe protesta të dhunshme që i vunë flakën rrugëve të Parisit.
Në paradën ushtarake më të vjetër në botë, këtë vit mori pjesë ushtari fluturues, ku një pjesëtar i forcave të armatosura franceze u ngrit në ajër me një “hoverboard” para syve të Presidentit Emmanueol Macron, por edhe liderëve të tjerë europianë të ftuar, si Angela Merkel dhe Jean Claude Juncker.
Megjithatë, Macron u bë i pari President në detyrë i Francës që vërshëllehet në këtë ditë të rëndësishme të vendit, pasi edhe këtë të diel “Jelek verdhët” nuk munguan, duke protestuar në Champs-Elysees. Policia përdori edhe gaz lotsjellës dhe arrestoi 175 prej tyre, ndërsa pas paradës ushtarake pati përleshje dhe flakë në disa zona të qytetit.
Çfarë është “Dita e Bastijës”
Dita e Bastijës është festë kombëtare në Francë, që festohet çdo 14 korrik, për të përkujtuar marrjen e Bastijës, një fortese mesjetare në qendër të Parisit, që simbolizonte autoritetin e Mbretit Luigji XVI, në 14 korrik 1789. Edhe pse në momentin e marrjes në kontroll nga forcat revolucionare, në godinë kishte vetëm 7 të burgosur, kjo ngjarje konsiderohet gjerësisht si një pikë kthese e Revolucionit Francez. (A2 Televizion)